Politike

Plan i ri për anëtarësimin e vendeve kandidate në BE, Varhelyi: Propozime thelbësore në tetor

Gazeta Si - Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, ka thënë së fundi se në tetor do të ketë propozime thelbësore për zgjerimin. Në një intervistë për ‘Euractiv’, ai flet për hapat e mëtejshëm pas premtimit për vendet që aspirojnë se anëtarësimi në BE mund të ndodhë deri në 2030-ën.

“Ne do të vendosim gjithçka mbi tavolinë për të bërë të mundur zgjerimin, por vendimi është i vendeve anëtare”, - shkruan Varhelyi. Sipas tij, zgjerimi i BE-së deri në 2030-ën është i realizueshëm, nëse vendet kandidate dhe vetë blloku “dyfishojnë përpjekjet’.

Viti 2030 u dha si afat nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, gjatë kësaj jave, kur tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera kandidate duhen të jenë gati brenda 7 viteve të ardhshme.

Varhelyi ka pohuar se zgjerimi deri në vitin e dhënë si afat nënkupton përshpejtimin përpjekjeve për reforma në institucionet e BE-së. Janë 8 kandidatë të njohur për anëtarësim në Bashkimin Europian: Turqia (që nga viti 1999), Maqedonia e Veriut (2005), Mali i Zi (2010), Serbia (2012), Shqipëria (2014), Moldavia (2022), Ukraina (2022) dhe Bosnjë Hercegovina (2022).

Kosova dhe Gjeorgjia dorëzuan zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në vitin 2022 dhe konsiderohen kandidatë potenciale nga Bashkimi uvropian.

Varhelyi njofton se në tetor, kur Komisioni Europian pritet të prezantojë raportin e përvjetshëm të progresit për të gjitha shtetet në process anëtarësimti, ekzekutivi i BE-së do të dalë me propozime thelbësore. “Jemi të gatshëm të dalim me propozime të reja dhe me ide të reja”, tha komisioneri.

Plani, sipas Varhelyi, do të përfshinte parimisht një “Plan të rritjes”, të zbuluar nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në maj. Me anë të këtij plani BE kërkon të rrisë investimet në Ballkanin Perëndimor dhe të ulë ndikimin ekonomik të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Do të përfshijë gjithçka, nisur nga reformat në sundimin e ligjit, demokraci, reformat ekonomike dhe integruese, zhvillimin e klimës për investitorë dhe të sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare për t’i mbyllur mungesat zhvilluese para se të bëhen shtete anëtare”, u shpreh komisioneri.

Përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell deklaroi një ditë më parë se BE duhet të përgatitet për anëtarësimin e 10 vendeve të reja. Ai kërkoi një afat kohor nga BE për zgjerimin, pasi kjo do të mobilizonte me shumë energjinë e vendeve aspirante dhe unionit.

Borell njoftoi gjithashtu se takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të zhvillohet më 14 shtator. Përveç këtij takimi Borrell njoftoi edhe një takim të përbashkët të ministrave të jashtëm të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor nën drejtimin e presidencës spanjolle të BE-së.

“Presidenca spanjolle po propozon – dhe mendoj se është një propozim i mirë – për të mbajtur një takim së bashku me ministrat e jashtem te Ballkanit Perëndimor. Ne do ta bëjmë atë në fund të muajit të ardhshëm, pas ngjarjeve të tjera që lidhen me Ballkanin si Procesi i Berlinit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ministrat, nën Presidencën spanjolle, të bëjnë një bilanc të asaj që po ndodh në Ballkanin Perëndimor.
Më 14 shtator, do të organizoj një takim të ri të Dialogut të Nivelit të Lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si lehtësues i këtij dialogu për të kërkuar zgjidhje.
Çështja e zgjerimit ka lundruar gjatë diskutimeve tona. Ukraina duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ballkani Perëndimor gjithashtu sa me shpejt.
Unë mendoj se lufta në Ukrainë ka pasur një efekt që është përshpejtimi i procesit të zgjerimit, i cili është sigurisht një proces i bazuar në merita. Një shtet do të bëhet anëtar kur të plotësojë të gjitha kushtet. Por në të njëjtën kohë, mendoj se është mirë të kemi një objektiv politik – një horizont – për t’i dhënë një shtysë politike procesit. Dhe gjithashtu, për ne – sepse ne duhet të përgatitemi për një zgjerim që mund të shtojë 10 anëtarë të tjerë në Bashkimin Evropian”, tha Borrell.

Edhe pse nuk dha ndonjë afat për anëtarësimet e reja në BE, Borrell tha se propozimi i një kalendari nga Bashkimi Euriopian do të mobilizonte energjitë e BE dhe të vendeve kandidate duke mbështetur në këtë mënyrë edhe deklaratat e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Mishel në forumin strategjik të BLED, ku ai përcaktoi vitin 2030 si afatin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë