Lajme

Plagosje në Kamëz, policia kap dy vëllezërit, i treti në kërkim

Një plagosje ka ndodhur në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta mes disa personave.
Policia bën me dije se është plagosur me mjet prerës shtetasi L. D., ndërsa janë vënë në pranga dy vëllezër dhe është shpallur në kërkim i treti.
Në pranga janë vënë shtetasit G. M., 39 vjeç dhe L. M., 36 vjeç (vëllezër, të dy banues në Kamëz). Ndërkohë është shpallur në kërkim vëllai tjetër i dy të arrestuarve, shtetasi A. M., 42 vjeç.
Të tre vëllezërit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Teuta”, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës shtetasin L. D., 39 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin mjekësor.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, policia u ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 armë gjahu.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasi i lënduar L. D., pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike (kanabis). Materialet u referuan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë