Ka ndodhur

Plagosja në zyrën e PD në Kavajë, arrestohen tre autorët e dyshuar

Ka përfunduar arratia e tre personave, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin plagosën me armë zjarri në këmbë aktivistin e PD në Kavajë, Bledar Okshtuni.

Policia thotë se ka arrestuar Ndriçim Jonuzin, me mbiemrin e ndryshuar Tahiri, person me precedentë të rëndë kriminalë, i akuzuar edhe për vrasje në Torino të Italisë. Po ashtu, janë vënë në pranga edhe Markel Shtylla, shef i Policisë Bashkiake në Kavajë dhe Dorian Troplini, polic bashkiak.

Jonuzi akuzohet  për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, ndërsa Shtylla dhe Troplini akuzohen për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Ndriçim Jonuzi, duke treguar versionin e tij të ngjarjes në një komunikim në video në rrjetet sociale

Ngjarja mori ngjyrime politike, duke qenë se ndodhi në një zyrë elektorale të PD, ku Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta mbërritën me urgjencë në Kavajë, duke akuzuar kryeministrin Rama.

Ndërsa ky i fundit kërkoi vendosjen e autorit para drejtësisë dhe bëri apel që politika të ulë tensionin deri sa të flasë drejtësia.

Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes, Ndriçim Jonuzi, nëpërmjet një video-mesazhi të martën, u shpreh se nuk merret me politikë, por rasti në fjalë është përdorur për fushatë. 

“Unë nuk kam ndërmend të merrem me politikë. Më kanë thënë që Lulzim Basha më ka cilësuar socialist dhe nuk më vjen mirë të më humbë të gjitha sakrificat për PD. Vetëm për të shfrytëzuar këtë rast për fushatë”.

Mes të tjerash, Jonuzi shtoi se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe se ka ndodhur për shkak se sipas tij, personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nëne me shami dhe pasi ky i kishte kërkuar llogari, ata u sollën në mënyrë arrogante.

“Padyshim që nuk jam krenar për atë që kam bërë, si besimtar që jam Zoti të më falë, nuk ka lidhje me sulme politike”.

Nga ana e tij, Bledar Okshtuni, mësohet se ka deklaruar para grupit hetimor, se sherri ka nisur për parkimin e makinës. “Jonuzi më ka ofenduar, u konfliktuam fillimisht fizikisht e pastaj ai nxori armën”, - ka treguar për ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë