Rend dhe Ligj

Plagosja e efektivit, 42-vjeçari i rrezikshëm ende i lirë. Kontrolle në 4 qytete, policia kërkon ndihmën e familjarëve

Gazeta Si - Klered Bozhanaj vijon të jetë në kërkim pas plagosjes me armë zjarri mbrëmjen e të mërkurës ndaj punonjësit të policisë Edlir Alleshi gjatë një kontrolli rutinë në zonën e Kinostudios.

Shërbimet e Policisë kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës e Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intesive, deri në kapjen e tij.   

Sipas burimeve paraprake, forcat policore të mbështetura edhe nga RENEA, kanë kryer kontrolle në zona të ndryshme në Tiranë, shtëpi të braktisura e magazina, por asnjë gjurmë e autorit të dyshuar të ngjarjes nuk është zbuluar deri tani.

Ndërkohë, inspektori Edlir Alleshi, pjesë e patrullës së forcave”Shqiponja” e ka kaluar rrezikun për jetën, pasi u plagos gjatë detyrës.

Gjatë mbrëmjes polici iu nënshtrua një ndërhyrje mjekësore, pasi plumbi në zonën e barkut i kishte prekur disa organe.

Këtë të enjte ai ndodhet në një pavion të Spitalit të Traumës, ku është vizituar nga kolegë dhe të afërm që kanë thënë se gjendja e tij është stabilizuar.

Sakaq, policia ka bashkëpunuar me familjarët e Bozhanajt për një tentativë për t'u vetëdorëzuar, por deri tani nuk është arritur asgjë.

Mësohet se familjarët kanë qenë shumë bashkëpunues dhe kanë treguar disa vende ku mund të fshihej, por pas kontrollit nuk ka pasur gjurmë të 42-vjeçarit.

Sipas përshkrimit të policisë, Bozhanaj është një trup shumë i dobët dhe rreth 180 cm. Në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë, ai ka qenë i veshur me tuta dhe bluzë gri, me kapele të zezë në kokë.

Dyshohet se ai është i armatosur, nuk rezulton me precedentë penal, por konsiderohet i rrezikshëm pas ngjarjes së rëndë.

Policia e Tiranës vendosi shpërblim 20.000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të plagosjes, teksa iu apelon qytetarëve të bëjnë kujdes pasi është i armatosur.

"DVP Tiranë falënderon qytetarët, për informacionet e dhëna deri tani, të cilat janë duke u verifikuar nga Policia. Policia kërkon vijimin e bashkëpunimit, duke ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20.000 euro, për çdo informacion të vlefshëm, që do të çojë në kapjen e tij. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi", - bën me dije policia në një njoftim për shtyp këtë të enjte.

Mbrëmjen e të mërkurës, punonjësi i policisë Edlir Alleshi, i cili po patrullonte me kolegun e tij të forcave “Shqiponja” në zonën e Kinostudios, mbeti i plagosur rëndë nga 42-vjeçari Bozhanaj, të cilit i ishin vënë pas për verifikim, pasi rezultoi të bënte lëvizje të dyshimta në rrugë.

Në momentin që forcat e rendit i janë vënë pas, autori ka tentuar të hyjë në pallatin e tij, por ka hapur zjarr me një pistoletë që mbante me vete.

Ishte një patentë e rrëzuar në vendin e ngjarjes gjatë largimit, që çoi në identifikimin e tij nga autoritetet. Alleshi ka marrë 2 plumba në bark dhe pas ndihmës së dhënë nga mjekët është jashtë rrezikut për jetën.

Nga ambientet e Spitalit të Traumës, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se guximi për të goditur një punonjës policie, do të marrë përgjigjen e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë