Ngjarje

Plagoset me armë zjarri polici i ‘Shqiponjave’ në Tiranë, po ndiqte një person të dyshimtë

Gazeta Si - Një punonjës i forcave speciale “Shqiponja”, Edlir Alleshi, ka mbetur i plagosur gjatë një aksioni për kapjen e një personi të armatosur në Tiranë në zonën e njohur si "Oxhaku".

Autori i dyshuar, Klered Bozhani, 42 vjeç, qëlloi dy plumba në drejtim të efektivit duke e plagosur në bark. Ndërsa ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”.

Mësohet se një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja" ka marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, të cilin më pas e kanë ndjekur.

Sipas njoftimit të policisë, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur efektivi Edlir Alleshi, i cili dyshohet se ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe më pas është dërguar me urgjencë në spital.

Alleshi u dërgua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht në zonën ku ndodhi ngjarja ndodhen forca të shumta policie, të cilat po punojnë për të kapur autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Sa i takon autorit të dyshuar, në vendngjarje është gjetur edhe makina e tij me targa italiane, e cila po i nënshtrohet një kontrolli të detajuar nga ana e efektivëve të policisë. Mësohet se Bozhani njihet si përdorues i lëndëve narkotike dhe se sapo ishte kthyer nga Italia.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar në spital efektivin e plagosur. Balla ka deklaruar se gjendja shëndetësore e Edlir Alleshit, është përmirësuar. Balla tha se autori është identifikuar dhe i bëri thirrje që të dorëzohet.

“Gjendja e efektivit është përmirësuar. Personi është identifikuar, thirrja për të është të dorëzohet", tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë