Lajme

Plagosi ish-boksierin e Vllaznisë, arrestohet pas dy vitesh autori

Rreth dy vite pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysa.
Në sajë të operacionit policor “Gruda” vuri në pranga shtetasin Valter Ksolla, 23 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula”, Shkodër.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim” mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, pasi është autor i dyshuar i ngjarjes së para dy viteve, ku Nelson Hysës iu bë atentat me armë zjarri. Ndërkohë, më 9 mars të këtij viti, Hysa u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si pjesë e grupit kriminal Bajri.
Policia ka arrestuar gjithashtu edhe vëllezërit N. K., 32 vjeç dhe K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re për veprat penale të “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.
Këta dy shtetas kishin strehuar në banesën e tyre shtetasin në kërkim Valter Ksolla dhe dyshohet se me datë 14.04.2019 kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit L. A., 50 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë