Ka ndodhur

Plagoset me mjet prerës 22-vjeçari në Dibër, arrestohet autori

Një sherr mes një grupi të rinjsh ka ndodhur sot në Peshkopi, ku për pasojë është plagosur me mjet prerës një 22-vjeçar.

Policia ka ndërhyrë dhe ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, duke arrestuar autorin e plagosjes dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë 5 shtetas të tjerë.    

“Shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në lagjen ‘Treg’, Peshkopi, po ndodhte një konflikt fizik mes disa të rinjve, ku falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, kapja dhe arrestimi i shtetasit:

E. S., 26 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër, për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, 26-vjeçari gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës, shtetasin T. T., 22 vjeç, banues në Peshkopi, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

“Po në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes, ka rezultuar se janë përfshirë në konflikt për të cilët ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’ e kryer në bashkëpunim, ‘Moskallëzim krimi’, ‘Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt’, për shtetasit: Xh. C., 25 vjeç, M. A., 23 vjeç, Xh. A., 26 vjeç, B. S., 23 vjeç, Xh. L., 15 vjeç, banues në Dibër”, vijon më tej policia.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë