Ne rrjet

Pjesë nga libri i ri i Obamës – Si e menaxhoi pandeminë e H1N1 më 2009

Në librin e tij më të ri, titulluar “Një Tokë e Premtuar”, i cili do të botohet në ShBA më 17 nëntor  të këtij viti, ish-presidenti Barack Obama flet edhe për menaxhimin e pandemisë së H1N1, më 2009-n  dhe luftën e tij më të vështirë për reformimin e kujdesit shëndetësor amerikan.

Nga Barack Obama

Çdo punë ka pjesën e saj të të papriturave. Një pjesë kryesore e pajisjes prishet. Një aksident trafiku detyron një ndryshim në rrugët e shpërndarjes. Një klient telefonon për të thënë se e keni fituar kontratën - por ata kanë nevojë ta kryejnë porosinë tre muaj më herët,  sesa ishte planifikuar. Pavarësisht ku punoni, duhet të jeni në gjendje të improvizoni për të përmbushur objektivat, ose të paktën të shkurtoni humbjet.

Presidenca nuk ishte ndryshe. Gjatë pranverës dhe verës së atij viti të parë, ndërsa luftuam me krizën financiare, dy luftëra dhe nxitjen për reformën e kujdesit shëndetësor, një çështje tjetër e papritur u shtua në një agjendë tashmë të mbingarkuar. Në prill, dolën raportet për një shpërthim shqetësues gripi në Meksikë. Virusi i gripit zakonisht godet më shumë popullatat e prekshme si të moshuarit, foshnjat dhe ata që vuajnë nga astma, por duket se ky lloj goditi të rinjtë, njerëz të shëndetshëm - dhe po i vriste ata me një normë më të lartë se zakonisht. Brenda disa javësh, njerëzit në Shtetet e Bashkuara po sëmureshin nga virusi: një në Ohajo, dy në Kansas, tetë në një shkollë të mesme të vetme në Nju Jork. Deri në fund të muajit, të dy Qendrat tona për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kishin konfirmuar se kishim të bënim me një variacion të virusit H1N1. Në qershor, OBSh zyrtarisht deklaroi pandeminë e parë globale në dyzet vjet.

Një infermiere e Shtëpisë së Bardhë përgatitet t'i kryejë vaksinën e H1N1, presidentit Barack Obama 20 dhjetor , 2009.

Kisha pak  më shumë se njohuri kaluese të H1N1-shit,  pasi kisha  punuar në gatishmërinë ndaj  pandemisë në ShBA,  kur isha në Senat. Ajo që dija më trembi fort. Prej  1918-s, një variacion i H1N1 që u bë e njohur si “gripi Spanjoll” kishte infektuar rreth gjysmë miliardi njerëz dhe kishte vrarë deri në njëqind milion - rreth pesë përqind të popullsisë së botës. Vetëm në Filadelfia, më shumë se dymbëdhjetë mijë vdiqën në harkun e disa javëve. Efektet e pandemisë shkuan përtej numrave marramendës  të vdekjeve dhe mbylljes së aktivitetit ekonomik; hulumtimet e mëvonshme zbuluan se ata që ishin në mitrën e nënë  gjatë pandemisë u rritën për të pasur të ardhura më të ulëta, rezultate më të dobëta arsimore dhe nivele më të larta të aftësisë së kufizuar fizike.

Ishte shumë herët për të treguar se sa vdekjeprurës do të ishte ky virus i ri. Por nuk isha i interesuar të rrezikoja. Në të njëjtën ditë që Kathleen Sebelius u konfirmua si Sekretare e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore,  dërguam një aeroplan ta merrte nga Kansasi, e çuam në Uashington për të bërë betimin në një ceremoni të improvizuar në Zyrën Ovale dhe menjëherë i kërkuam të drejtonte  një konferencë dy orëshe me zyrtarë të OBSh-së  dhe ministra të shëndetësisë nga Meksika e Kanadaja. Ditë  më vonë, krijuam së bashku një ekip ndër-agjenci për të vlerësuar sesa të gatshëm ishin Shtetet e Bashkuara për skenarin më të keq.

Përgjigja ishte se nuk qemë aspak gati. Vaksinat vjetore  të gripit nuk siguruan shumë mbrojtje kundër H1N1 dhe, për shkak se vaksinat në përgjithësi nuk ishin prodhuese parash për kompanitë e ilaçeve,  ata pak prodhues të  vaksinave që  ekzistonin në ShBA kishin kapacitet të kufizuar,  për të nxitur  prodhimin e një të reje. Më vonë,  u përballëm me pyetje se si të shpërndahen mjekime antivirale, ç’udhëzime përdorën spitalet në trajtimin e rasteve të gripit  dhe madje,  edhe se si do të trajtonim mundësinë e mbylljes së shkollave dhe vendosjen e karantinave nëse gjërat do të përkeqësoheshin ndjeshëm. Disa veteranë të ekipit të reagimit ndaj gripit të derrit të Administratës Ford, më 1976-n  na paralajmëruan për vështirësitë që vinin  në daljen para një shpërthimi,  pa e tepruar në reagim apo  mos shkaktuar panik. Me sa duket, presidenti Ford, duke dashur të veprojë me vendosmëri në mes të një fushate rizgjedhjeje, kishte kryer vaksinime të shpejta para se të përcaktohej ashpërsia e pandemisë, me rezultatin  që shumë amerikanë zhvilluan çrregullime neurologjik të lidhur me vaksinën,  sesa vdiqën nga gripi.

“Ju duhet të përfshiheni, zoti  President”,  këshilloi një nga stafi i Ford, “por  duhet të lini ekspertët të drejtojnë procesin.”

Udhëzimet e mia për ekipin e shëndetit publik ishin të thjeshta: vendimet do të merreshin bazuar në shkencën më të mirë të disponueshme dhe ne do të shpjegonim për publikun çdo hap të përgjigjes sonë - përfshirë hollësitë e asaj që bënim dhe nuk dinim. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, bëmë pikërisht atë. Një rënie gjatë verës në rastet e H1N1 i dha ekipit kohë për të punuar me prodhuesit e barnave dhe për të stimuluar procese të reja  në prodhimin  më të shpejtë të vaksinave. Ata pozicionuan paraprakisht  furnizimet mjekësore nëpër rajone dhe u dhanë spitaleve fleksibilitet të shtuar,  për të menaxhuar një rritje të rasteve të gripit. Ata vlerësuan - dhe përfundimisht e refuzuan - idenë e mbylljes së shkollave për pjesën tjetër të vitit, por punuan me rrethe shkollore, biznese dhe zyrtarë shtetërorë dhe lokalë duke u  siguruar se  të gjithë kishin burimet e nevojshme për t’u përgjigjur,  në rast të një shpërthimi.

President Barack Obama bën një deklaratë me zyrtarët e qeverisë mbi gatishmërinë dhe përpjekjet reaguese ndaj gripit H1N1, 2009.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk shpëtuan të padëmtuara - më shumë se dymbëdhjetë mijë amerikanë humbën jetën - ishim me fat që ky tip i veçantë i H1N1 doli të ishte më pak vdekjeprurës,  nga sa druheshin  ekspertët. Lajmet se pandemia ishte qetësuar nga mesi i vitit 2010 nuk prodhuan kryetituj. Megjithatë, krenohesha shumë se sa mirë kishte performuar ekipi ynë. Pa zhurmë ose bujë, jo vetëm që ndihmuan në frenimin  e virusit, por forcuan gatishmërinë tonë për çdo emergjencë të shëndetit publik në të ardhmen - gjë që do të bënte ndryshimin disa vjet më vonë, kur shpërthimi i Ebolas  në Afrikën Perëndimore shkaktoi panik të plotë.

Kjo, do të kuptoja , ishte natyra e Presidencës: nganjëherë puna më e rëndësishme përfshinte atë lloj  që askush nuk e vinte re. New Yorker / Përktheu dhe përshtati në shqip Gazeta Si.

*Shkëputur nga  libri i ri i ish-presidentit Obama, titulluar “A Promised Land” (Një Tokë e Premtuar”),   që do të botohet më 17 nëntor nga  “Crown”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë