Politike

“Photo of the Day”, Donald Trump rikthehet në Facebook-un e Edi Ramës

Në prill të 2016, Donald Trump kishte fituar terren brenda republikanëve dhe vetëm një muaj më vonë do të merrte edhe zyrtarisht nominimin për t’u përballur me Hillary Clinton në zgjedhjet e nëntorit.

Në atë kohë, gjatë një vizitë në Uashington, Kryeministri shqiptar Edi Rama zuri hapësirë tek mediat prestigjoze me një deklaratë të drejtpërdrejtë kundër biznesmenit politikan.

Tek revista prestigjioze “Foreign Policy”, kryeministri shqiptar e quante Donald Trump si “turp të qytetërimit” dhe që po ushqen ndjenja antimyslimane tek mbështëtësit e vet. Më vonë, në një intervistë për Richard Quest në CNN i qëndron bindjes së tij.

“Mos e dhëntë Zoti! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar nuk ishte i pari që shprehte shqetësimin e vet për deklaratat dhe qëndrimet e Donald Trump, por e sigurtë është që ishte më i drejtpërdrejti.

“Udhëheqës të tjerë në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime, pasi SHBA-të janë vend lider dhe shumë të rëndësishme për t’i përkitur vetëm vetes së tyre. SHBA është në sytë tanë një lider botëror, që ne e ndjekim si një shembull vërtet frymëzues dhe ky shembull frymëzues është ngritur mbi vlera dhe parime për të cilat Amerika ka luftuar dhe që e kanë bërë Amerikën të madhe”, deklaronte po për CNN Edi Rama.

Por, “Zoti e dha” dhe në zgjedhjet e nëntorit Donald Trump mposhti Hillary Clinton dhe ndodhet se si President i Shteteve të Bashkuara në Shtëpinë e Bardhë. Koha la pas deklaratat e bëra dhe në shtator të 2017, në kuadër të punimeve për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Edi Rama ndodhej atje.

E shfrytëzon rastin për t’u takuar me Donald Trump dhe foton “familjare” e poston në rrjetet sociale me shënimin e zakonshëm “Photo of the Day”.

Pa u mbushur ende një vit nga kjo foto, Donald Trump rikthehet të jetë foto dite në murin e Facebook-ut të Kryeministrit shqiptar.

Edi Rama ka postuar një foto të shkëputur nga shtrëngimi i duarve mes tij dhe Presidentit të SHBA në Bruksel, ku të dy ndodhen për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Edi Rama shtrëngon duart me Donald Trump në Bruksel

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë