Bota

Pezullohen operacionet në spitalin Al-Shifa pas ndërprerjes së energjisë elektrike  

Nga Gazeta 'Si'-Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi, Ashraf al-Kidra, tha se operacionet në spitalin Al-Shifa, më i madhi në enklavën palestineze, u pezulluan sot(11 nëntor) pas ndërprerjes së energjisë elektrike dhe mbarimit të karburantit.

“Si rezultat, një foshnjë e porsalindur vdiq në inkubator, ku janë 45 foshnja”, tha Al-Kidra për Reuters.

Zëdhënësi vuri në dukje se situata është më e keqe nga sa mund ta imagjinojë kushdo sepse spitali Al-Shifa është i rrethuar plotësisht dhe shumica e ndërtesave të kompleksit mjekësor janë në shenjestër.

Drejtuesi i spitalit, Muhammad Abu Salmiya, ka paralajmëruar se “janë vetëm ca minuta larg vdekjes së pashmangshme” dhe se pacientët vdesin “çdo minutë”.

Ai u shpreh për Al Jazeera: “Ajo çfarë mund të them është se filluam të humbasim pacientë. Pacientët po vdesin çdo minutë. Viktimat dhe të lënduarit gjithashtu. Edhe bebet në inkubatorë. Humbëm një bebe në inkubator, si dhe një djalë të ri në dhomën e kujdesit intensiv”, duke shtuar se spitalet tanimë janë nën shënjestrën e izraelitëve.

“Jemi totalisht të shkëputur nga bota. Jemi një minutë larg vdekjes”, theksoi drejtuesi dhe tha se spitalit i është ndërprerë energjia elektrike, interneti, furnizimi me ujë dhe me mjete shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë në Palestinë, dr. Munir Al-Borsh, u shpreh se bombardimet e Izraelit rreth spitalit nuk kanë ndaluar për 3 net rresht. “Po ndodh një bombardim i dhunshëm pothuajse çdo minutë”, u shpreh ai dhe theksoi se njerëzit kanë ngecur brenda spitalit.// Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë