Lajme

Pezullohen hetimet për trafik droge ndaj vëllait të Xhafajt

Hetimet për trafik droge ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, janë pezullluar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kthyer dosjen penale në polici ndaj Agron Xhafajt, i dyshuar si i përfshirë në një rrjet trafiku ndërkombëtar droge.

Çështja penale u çel pas akuzave të Albert Veliut, i njohur ndryshe me nofkën “Babale”. Skandali që po hetohet, shpërtheu pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike të një materiali audio, ku një person i identifikuar si “bashkëpunëtori x”, fliste për një bashkëpunim të mundshëm me vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, për të trafikuar hashash nga Shqipëria drejt Italisë.

Krimet e Rënda thanë se procedimi që është kthyer në polici ka të bëjë pikërisht me këto akuza për të cilat nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.

Aktualisht, Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj tre personave në lidhje me audio-përgjimin e Agron Xhafajt, duke fajësuar shtetasin Fredi Alizoti se ka luajtur rolin e Agron Xhafaj në përgjimin me Albert Veliun.

Nën akuzë për kallëzim të rremë është vendosur dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili publikoi përgjimin. Në këto kushte, prokurori përparim Kulluri ka firmosur për pezullimin e hetimeve. Dosjen në fjalë e ka kthyer në polici, me qëllim kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Tashmë ajo duhet të rihetohet nga e para dhe e ndarë nga njëra-tjetra.

Ndërkohë, protagonisti i kësaj çështjeje, i ashtuquajturi “Babalja” është arratisur nga Kosova drejt Hungarisë, ku ka kërkuar azil politik. Alizoti ndodhet në masën e arrestit me burg, ndërsa gazetari Olldashi po hetohet në gjendje të lirë, të gjthë për akuzën e kallëzimit të rremë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë