Libra

“Pëshpëritja e Agonisë” (libri i karantinës) i poetit Sali Bashota

Libri me poezi me titullin “Pëshpëritja e agonisë”, i botuar këto ditë nga PEN Qendra e Kosovës, i poetit Sali Bashota, është vepra e parë e shkruar dhe botuar nga një autor në rrethanat e karantinës. Siç thuhet në parafjalën e autorit, kjo vepër pikënisjen dhe përfundimin e saj, e ka në periudhën e shfaqjes dhe të pranisë së pandemisë së koronavirusit.
Në këtë mënyrë, idetë, motivet, temat e poezisë janë strukturuar, pikërisht në ballafaqim me realitetin ekzistues, aty ku prodhohet ndjeshmëria krijuese dhe receptohet ndjeshmëria njerëzore, por edhe humanizmi dhe vlerat thelbësore të njeriut.
Në këtë libër poetik, figurat më të përdorura janë: jeta, lutja, ëndrra, dashuria, lumturia, frika, uji, dhimbja, fati, vetmia, karantina, shpëtimi, malli, prekja, përshëndetja, agonia, vdekja.
Ka edhe figura të tjera, të cilat bashkë me këto që u përmendën më lart, e përkundin ëndrrën e jetës në procesin krijues, me një kërkesë të veçantë emocionale, aty ku shpërthen kuptimi dhe domethënia për fatin e njerëzimit nga shfaqja e së panjohures dhe e së padukshmes që e ka kapluar njerëzimin.

“Pëshpëritja e agonisë”, mund të jetë një libër i shpalosjes së ankthit dhe i situatave ekzistenciale, në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore, përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.
Sali Bashota ka botuar vepra me poezi, prozë poetike, me ese dhe studimeve letrare. Poezia e tij është përkthyer në shumë të gjuhë të botës, pastaj është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa autori është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë e më gjerë.
Vepra “Pëshpëritja e agonisë”, së shpejti pritet të botohet edhe në gjuhën angleze. /kultplus


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë