Para

Pesë njerëzit më të pasur në botë dyfishuan pasurinë e tyre ndërsa të varfërit u varfëruan më tej

Nga Gazeta ‘Si’ - Pesë njerëzit më të pasur në botë kanë dyfishuar pasurinë e tyre në 869 miliardë dollarë që nga viti 2020. Ndërsa 60% e popullsisë– gati 5 miliardë njerëz – kanë humbur para.

Detajet vijnë në një raport nga Oxfam teksa njerëzit më të pasur në botë mblidhen nga sot (e hënë, 15 janar) në Davos, Zvicër, për takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror të liderëve politikë, drejtuesve të korporatave dhe super të pasurve.

Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve ka të ngjarë të rritet, thotë raporti. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëron se nëse trendet aktuale vazhdojnë, varfëria botërore nuk do të zhduket për 229 vite të tjera.

Duke theksuar një rritje dramatike të pabarazisë që nga pandemia Covid, Oxfam tha se miliarderët në botë ishin 3.3 trilionë dollarë më të pasur se në vitin 2020 dhe pasuria e tyre ishte rritur tre herë më shpejt se norma e inflacionit.

Raporti, zbulon se shtatë nga 10 korporatat më të mëdha në botë kanë një miliarder si CEO ose aksioner kryesor. Përpilimi i të dhënave nga kompania kërkimore Wealth X dhe Forbes, tregon se pasuria e kombinuar e pesë njerëzve më të pasur në botë – Elon Musk, Bernard Arnault, Jeff Bezos, Larry Ellison dhe Mark Zuckerberg – është rritur me 464 miliardë dollarë, ose 114. %. 

Jeff Bezos, Warren Buffett, Bernard Arnault, Larry Ellison dhe Elon Musk

Gjatë të njëjtës periudhë, pasuria totale e 4.77 miliardë njerëzve më të varfër – që përbën 60% të popullsisë së botës – ka rënë me 0.2% në terma realë.

"Njerëzit në mbarë botën po punojnë më shumë dhe orë më të gjata, në punë të pasigurta” thotë raporti. 

Në 52 vende, pagat reale mesatare prej afro 800 milionë punëtorësh kanë rënë. Këta punëtorë kanë humbur së bashku 1.5 trilion dollarë gjatë dy viteve të fundit, ekuivalente me 25 ditë paga të humbura për çdo punëtor.

Raporti thotë gjithashtu se fitimet e biznesit janë rritur ndjeshëm pavarësisht presionit mbi familjet në mes të krizës së kostos së jetesës. 

Ai zbulon se 148 nga korporatat më të mëdha në botë së bashku kanë grumbulluar 1.8 trilion dollarë fitime neto totale deri në qershor 2023, një rritje prej 52% krahasuar me fitimet mesatare neto në 2018-21.

Julia Davies, një investitore dhe anëtare themeluese e Patriotic Millionaires UK, një grup jopartiak milionerësh britanikë që bëjnë fushatë për një taksë mbi pasurinë, tha se taksat mbi pasurinë ishin "të vogla" krahasuar me tatimin mbi të ardhurat nga puna.

Oxfam tha se indeksi më i fundit Gini – i cili mat pabarazinë – zbuloi se pabarazia globale e të ardhurave ishte tani e krahasueshme me atë të Afrikës së Jugut, vendi me pabarazinë më të lartë në botë.

1% më e pasur në botë zotërojnë 59% të të gjitha aktiveve financiare globale – duke përfshirë aksione dhe obligacione, plus aksione në biznesin privat.

Aleema Shivji, shefe ekzekutive e përkohshme e Oxfam, tha: “Këto ekstreme nuk mund të pranohen si norma e re, bota nuk mund të përballojë një dekadë tjetër ndarjeje. Varfëria ekstreme në vendet më të varfra është ende më e lartë se sa ishte para pandemisë, megjithatë një numër i vogël burrash super të pasur po garojnë për t'u bërë trilioneri i parë në botë brenda 10 viteve të ardhshme.

“Ky hendek gjithnjë e më i zgjeruar mes të pasurve dhe pjesës tjetër nuk është i rastësishëm dhe as i pashmangshëm. Qeveritë në mbarë botën po bëjnë zgjedhje të qëllimshme politike që mundësojnë dhe inkurajojnë këtë përqendrim të shtrembëruar të pasurisë, ndërkohë që qindra miliona njerëz jetojnë në varfëri. 

Një ekonomi më e drejtë është e mundur, një ekonomi që funksionon për të gjithë ne. Ajo që nevojitet janë politika të bashkërenduara që ofrojnë taksa dhe mbështetje më të drejtë për të gjithë, jo vetëm për të privilegjuarit.”

Burimi: The Guardian/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë