Politike

“Përveshja e mëngëve” për negociatat, Hahn në Tiranë

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn mbërrin këtë të martë në Tiranë në kuadër të nisjes së punës përgatitore për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Komisioneri do të zhvillojë një takim me Presidentin Ilir Meta dhe një me Kryeministrin Edi Rama.

Në orën 15:00 parashikohet një konferencë për mediat, ndërkohë që agjenda nuk përfshin asnjë takim me opozitën.

Javën e kaluar, gjatë ndalesës në Bruksel, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Hahn.

Tema kryesore e diskutimit mes Ramës dhe Hahn ishin negociatat. Javën e ardhshme Komisioneri pritet që të mbërrijë në Tiranë për të lënë më të detajuara detyrat që duhen realizuar në kuadër të atij që njihet si procesi përgatitor për hapjen formale të bisedimeve të anëtarësimit. Synohet që ekipet të mblidhen brenda muajit korrik. Megjithatë, Hahn e tha në vija të trasha se çfarë kërkohet.

“Procesi përgatitor duhet të bëhet dhe në bazë të cilësisë së punës do të varet edhe shpejtësia me të cilën do të ecin negociatat më pas. Ekipet tona duhet të mënjëherë, para pushimeve verore për punën përgatitore. Reforma në drejtësi mbetet thelbësore dhe Komisioni do të vazhdojë të ndihmojë vendin në zbatimin e reformës në drejtësi”, deklaroi Hahn.

Komisioneri ngriti edhe shqetësimin e azilkërëkuesve. Njohu rënien e numrit të tyre, por sërish tha se për disa vende të BE-së ky fenomen mbetet shqetësues dhe në këtë pjesë ngarkoi qeverinë shqiptare me më shumë sforco.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër vlerësoi mbështetjen e 25 vendeve anëtare të BE-së dhe procesin përgatitor e quan thelb të marrëveshjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE për negociatat me vendin tonë. Si orientim Rama sheh pesë prioritetet.

“Procesi përgatitor është në thelb të kompromisit të arritur nga ministrat e jashtëm, që nëse formalisht negociatat do të hapen në qershorin e ardhshëm, puna përgatitore do të nisë menjëherë. Procesi nuk nënkupton deri në anëtarësim ndonjë lëvizje nga pesë prioritetet dhe është një proces duke u thelluar në pikëpamje të të gjithë aspekteve që mbulojnë pesë prioritetet”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë