Treg

Përsëri në rënie yield-i i titujve të borxhit, kërkesa në rritje

Nga Gazeta ‘SI’ - Yield-i i bonove të thesarit ka rënë nën nivelin e 4%, në ankandin e zhvilluar së fundmi.

Për bonot 12 mujore, yield-i ra në 3.98% nga 4.09% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Kërkesa vazhdoi të ishte përsëri më e lartë nga se ishte shpallur, nga 8 mld lekë u kërkuan 10 mld lekë. Ministria  e Financave, pranoi 9.2 mld lekë.

Rënie, akoma më të madhe, pati dhe yield-i i bonove 6-mujore, që shkoi në 3.26%, nga 4.37%.

Pak ditë më herët, Banka e Shqipërisë shpjegoi se rënia e inflacionit dhe kërkesa e lartë për titujt e borxhit të qeverisë po ulin yield-et e letrave me vlerë.

Kjo tendencë nisi fillimisht me bonot dhe më pas obligacionet, që në fund të muajit dhjetor 2022 dhe po vazhdon në të njëjtën linjë deri tani.

“Që prej fillimit të ciklit shtrëngues të politikës monetare, yield-et janë karakterizuar nga luhatje  të theksuara, duke shfaqur shpesh një mbireagim ndaj rritjeve të normës bazë. Ulja e inflacionit në muajin e  fundit  dhe rikthimi i kërkesës  së  lartë për instrumentet e borxhit të qeverisë frenuan prirjen rritëse të yield-eve dhe u materializuan me ulje të yield-it”, thuhet në raportin e Politikës Monetare.

Sipas BSH-së, këto janë shenja pozitive duke treguar se investitorët presin lehtësim të inflacionit në vend dhe stabilitet të normave të interesit.

Ky është zhvillim pozitiv edhe për qeverinë, duke paguar një interes më të vogël për huambajtësit e borxhit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë