Analize

Misteret e bazës amerikane në Kosovë

Nga Xhuliana Toci- Ishte vizita e tij e parë jashtë vendit dhe Xhorxh W. Bush kishte zgjedhur pikërisht Kosovën, kampin Bondsteel në Ferizaj, për të qenë më të saktë. Presidenti amerikan udhëtoi direkt pas samitit të G8-ës në Romë, ku la pas tensionet me qeveritë evropiane, për të mbajtur në fjalim para ushtarëve amerikane në bazë. Në vizitën e vitit 2001, Bush këmbënguli se trupat amerikane ndodheshin në Kosovë për të qëndruar, duke theksuar se “kishin shkuar së bashku dhe se do të largoheshin së bashku". Kanë kaluar më shumë se 15 vite dhe Bush u pasua nga Klinton, Obama dhe presidenti aktual, Donald Trump, por Bondsteel vazhdon të jetë në Kosovë.

Kampi amerikan u ndërtua për të strehuar forcat paqeruajtëse amerikane pak pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 1999. Baza mund të mbajë deri në 7000 ushtarë dhe punëson tani për tani qindra banorë të zonës. Kampi amerikan ofron gjithashtu spitalin më të mirë në Kosovë, një kishëz të vogël, një stacion policor dhe një qendër edukimi.

Edhe pse mirëmbajtja e bazës i kushton SHBA-së qindra milionë dollarë dhe situata në Kosovë është normalizuar, qeveria amerikane nuk ka dhënë asnjë sinjal për mbylljen e bazës në Ferizaj. Një sërë ekspertësh shprehen se në pamje të parë, ajo ka pak vlerë si një bazë rajonale, pasi nuk ka një pistë për uljen e aeroplanëve, por vetëm një hapësirë të vogël për helikopterët. Nuk ka as objekte portuale apo hekurudhore, por magazinat e saj sipas reporterëve që u ka rënë rasti ta vizitojnë, janë plot e përplot me municione.

Dhe sigurisht në një rajon si Ballkani, bazat ushtarake lënë mjaft vend për diskutim, teori komploti, frikë dhe njëkohësisht, siguri se "Amerika do jetë gjithnjë këtu për na mbrojtur". Disa kanë spekuluar se Bondsteel vazhdon të jetë e hapur për të ruajtur një tubacion gazi natyror. Të tjerë thonë se baza amerikane do të vazhdojë të qëndrojë në rajon për të mbajtur një sy nga Serbia dhe aktivitetet  e dyshimta të Rusisë. Sipas të tjera teorive, ushtarët amerikanë qëndrojnë atje sepse baza ofron miliona dollarë fitime për kontraktuesit amerikanë. Përtej aludimeve, mund të themi me siguri se gjeneralët e ushtrisë nuk kanë autoritetin të mbyllin një bazë ushtarake, nëse kjo nuk kërkohet nga udhëheqësit politikë. Deri më as Bush, Klinton, Obama dhe me sa duket as Trump, nuk e kanë ndërmend një gjë të tillë.

Xhorxh W. Bush viziton  kampin Bondsteel në Ferizaj, 2001

Çfarë fshihet prapa dyerve të Bondsteel?

Bondsteel është rreth 360.000 metra katrorë dhe ndodhet mes dy kodrave të ulëta pranë qytetit të Ferizajt. Kampi ka dy mensa ngrënie, ushqimi përgatitet gjithmonë më shumë kujdes, ka disa bare,  kinema, palestra, shtretërit janë të rehatshëm dhe çdo dhomë ka njësinë e vet të ngrohjes. Bondsteel u ofron ushtarëve një sërë pajisjesh elektronike, suvenire, veshje, uniforma dhe gjithçka tjetër për ta bërë qëndrimin e tyre në Kosovë sa më të rehatshëm. Baza ka dy kulla kryesore, atë të Veriut dhe atë të Jugut. Aty ndodhet edhe qendra e edukimit "Laura Bush", e cila ofron një shumëllojshmëri kursesh që i përshtaten nevojave të ushtarëve. Ata mund të mësojnë gjuhën shqipe, serbe ose gjermane dhe mund të përmirësojnë aftësitë e tyre kompjuterike.

Pas ndërtimit, ushtarët amerikanë prenë pothuajse të gjitha pemët dhe ndërtuan disa kulla druri rreth perimetrit të bazës. Përshtatja e mjedisit u mundësoi ushtarëve të monitorojnë me sy të lirë zonën nga një largësi prej 18 metrash. Baza ka gjithashtu një sistem modern magazinimi për armatimet. Numri i personelit ushtarak në kamp është i klasifikuar, por reporterët kanë zbuluar së në kamp dërgohen çdo ditë rreth 600 mijë litra ujë. Përveç ushtarëve amerikanë të përfshirë në misionin e KFOR-it, në Bondsteel janë gjithashtu të pranishëm edhe personele ushtarake nga një sërë vendesh të tjera europiane, përfshirë Poloninë, Republikën Çeke, Turqinë, Rumaninë, Slloveninë dhe Ukrainën.

Brenda kampit Bondsteel, Ferizaj

Zyrtarisht, numri i tankeve dhe helikopterëve ushtarakë nuk është zbuluar, por sipas disa raporteve të medieve amerikane, në bazë ka rreth 20 helikopterë “Black Hawks”, një helikopter “Apache” dhe dhjetëra tanke “M1A2 Abrams” . Rrotacioni i personelit ndodh çdo tre deri në gjashtë muaj, në varësi të situatës së sigurisë. Edhe pse është konfirmuar zyrtarisht, ushtarët që shërbejnë në Bondsteel paguhen 3,000 dollarë plus një kompensim prej 40 për qind. Ashtu si në të gjitha kampet e tjera ushtarake amerikane, personelit i ndalohet të pijë, të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe të mbajnë armë të rënda.

Përse Bondsteel është ende në Kosovë

Pozicioni i kampit e bën Bondsteel vendin më të rëndësishëm ushtarak të SHBA-së në Europë. Të gjitha pikat e rëndësishme strategjike të rajonit janë të aksesueshme nga kampi: kontigjenti ushtarak i SHBA –së në Maqedoni dhe Bosnje, baza ushtarake amerikane në Itali dhe baza ajorore Incirllik në Turqi. Bondsteel ka një pozicion ideal edhe për vendet fqinje të NATO-s, të cilat, në rast konflikti mund të fluturojnë për t’u pajisur me municione dhe përforcime brenda disa orësh.

Fillimisht qëllimi i vendosjes së kësaj baze, ishte normalizimi i gjendjes në Kosovë, por me kalimin  e kohës ky mision duket se ka pësuar një sërë ndryshimesh. "Misioni ynë në Kosovë është i dyfishtë- shprehej para dy vitesh për mediat amerikane, koloneli Vernon H. Simpson, i cili komandonte një njësi të Gardës Kombëtare të Karolinës - Njëra është ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe pjesa e dytë është liria e lëvizjes. Misioni ynë është të shërbejmë si palë e tretë përgjegjëse, prapa institucioneve legjitime të Kosovës”.

Kampi Bondsteel në Kosovë

Megjithatë, asnjë nga vendet e tjera që dërgoi trupa paqeruajtëse në Kosovë nuk e ka konsideruar të nevojshme ndërtimin e objekteve të tilla të mbrojtjes për një mision që supozohej të ishte i përkohshëm. Duke folur me një gazetar të “Washington Post” në tetor 1999, një oficer i lartë britanik shprehu shqetësimet e tij lidhur me projektin Bondsteel. "Është një shenjë e qartë se amerikanët po ndërmarrin një angazhim të madh në rajonin e Ballkanit dhe planifikojnë të qëndrojnë gjatë atje", tha ai. "

Për skeptikët, baza është lidhur shpesh me një gazsjellës që planifikohej të kalonte në Ferizaj dhe me pasuritë natyrore të Kosovës. Bondsteel qëndron në afërsi të tubacionit të AMBO.  Projekti i gazsjellësit kishte planifikuar të transportonte naftën e Kaspikut nga Bullgaria në Shqipëri nëpërmjet Maqedonisë, por puna për ndërtimin e tij nuk ka nisur ende. Sipas ushtrisë amerikane, një nga objektivat e bazës gjatë kohës kur u ndërtua ishte mbrojtja e AMBO-s. Tubacioni transballkanik  do të merrte naftën nga cisternat e Detit të Zi  dhe përmes Maqedonisë do ta çonte në Vlorë. Prej aty nafta ishte planifikuar të derdhej në depozita të mëdha dhe të dërgohej në Europë dhe në SHBA, duke anashkaluar Ngushticën e Bosforit. E lidhur ngushtë me projektin e gazsjellësit, kontrata për ndërtimin e Bondsteel iu besua “Brown & Root Services”, një kompani që është pjesë e Korporatës “Halliburton”, furnizuesi më i madh i produkteve të industrinë e naftës. Në vitin 1992, “Brown & Root” ndërtoi bazat e ushtrisë amerikane në Somali duke fituar 62 milionë dollarë, ndërsa në vitin 1994, kompania ndërtoi bazën amerikane në Haiti duke dyfishuar fitimet e saj, të cilat arritën në 133 milionë dollarë.  Por “nëna” e të gjitha kontratave ishte ajo e Bondsteel.  Edhe pse gazsjellësi nuk u ndërtua kurrë, pozicioni i favorshëm i bazës i mundëson zyrtarëve amerikanë të "ketë gjithmonë një sy" nga resurset natyrore të Kosovës.

Kampi Bondsteel u ndërtua fillimisht për të siguruar paqen, sigurinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Sigurisht demokracia e Kosovës vazhdon të jetë e brishtë, por asnjë nga problemet  e brendshme nuk kërkon ndërhyrjen e ushtrisë amerikane. Por mbyllja e Bondsteel bie në kundërshtim me strategjinë e qeverisë amerikane për të ruajtur një prezencë ushtarake në rajon. Madje në vizitën e tij të fundit në Ballkan, senatori amerikan John Mccain tha se "gjithçka që po ndodh në Europën Lindore dhe Ballkan është me rëndësi vitale për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Duke pasur parasysh përfshirjen gjithnjë e më të madhe të Rusisë dhe fuqive të tjera në rajon, është më se normale që SHBA-ja të dojë të mbajë prezencën e saj ushtarake në rajon. Kampi në Ferizaj është alternativa më e mirë për SHBA-në: një investim miliona dollarësh, i pozicionuar në një pikë strategjike për rajonin.

Kampi Bondsteel në Kosovë

Në një intervistë  në vitin 2010, komandanti i asaj kohe në kampin Bondsteel, gjenerali Keith Jones, ishte i kujdesshëm për të theksuar se kampi kishte qëndruar vetëm për të vëzhguar dhe monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë veprime vetëm në rrethana ekstreme.

"Kur ne ndiejmë se situata mund të bëhet e dhunshme, jemi të gatshëm të veprojmë. Sigurisht, një situatë e tillë mund të lindte vetëm nga rifillimi i dhunës ndëretnike midis serbëve dhe shqiptarëve”, shprehej Jones.

Bondsteel bazë e përhershme?

“Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një prani ushtarake të përhershme në Europën Juglindore për të ndihmuar në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe për të parandaluar goditjet e mëtejshme të Rusisë”, deklaruan një vit më parë në një raport të përbashkët, një sërë ekspertësh nga Uashingtoni.

Kampi Bondsteel, Ferizaj

Raporti i botuar nga Këshilli i Atlantikut theksonte se një veprim i tillë do të demonstronte angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së ndaj sigurisë së rajonit dhe se do të fuqizonte aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në zhvillimet e Ballkanit. Raporti e konsideronte Ballkanin Perëndimor si një rajon strategjik dhe paralajmëronte për lëvizjet agresive të Rusisë në zonë. Sipas ekspertëve, një prani e përhershme ushtarake e SHBA-së duhet të vendosej në Bondsteel.

"Trupat do të përdoreshin si për të ndihmuar vendet e rajonit për të luftuar terrorizmin por edhe për të ofruar ndihmë në rast katastrofash humanitare," thuhej në raport.

Raporti thotë se dy vitet e fundit, ekspertët kanë parë nga të më ndryshmet nga Rusia për të përfituar nga patologjitë e vazhdueshme të vendeve të rajonit dhe për t’i penguar të ndjekin rrugën europiane. Sipas tyre vendosja e një prezence të përhershme ushtarake është  mënyra më e mirë për të kontrolluar zhvillimet në Ballkan.

Ndërkohë Jones theksonte vite më parë  se situata e sigurisë ishte nën kontroll, duke deklaruar se objektivi i bazës ishte ofrimi i një mjedisi më të mirë për investimet ndërkombëtare. Por, ashtu si të gjithë zyrtarët e tjerë ndërkombëtarë, edhe Jones u përpoq të minimizonte rolin e strukturës që përfaqësonte dhe të theksonte pavarësinë e institucioneve kosovare.

“Bondsteel është vetëm këtu vetëm për të parë dhe këshilluar-  tha ai- Vetëm për të parë dhe këshilluar".

Burimet: "US Air Force", "VQR online", "VOA"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë