Ne rrjet

Pse kaq spekulim për lidhjen mes rrjetit 5G dhe Covid-19?

Teoritë konspirative që i lidhin rrjetin 5G me pandeminë e koronavirusit vazhdojnë të përhapen, edhe pse nuk ka ndonjë provë që tregon se sinjalet telefonikë përbëjnë rrezik për shëndetin.

Ditët e fundit në mbarë botën ka pasur raportime për njerëz që i vënë flakën stacioneve 5G, kurse punonjësit e kompanive të internetit janë dhunuar në rrugë.

Këto ngjarjë kanë ardhur pas teorive problematike konspirative që kanë pushtuar rrjetet sociale në çdo cep të globit. Disa sugjerojnë se COVID-19 shërben si mbulesë për rreziqet shëndetësore që sjell teknologjia 5G. Sipas kësaj teorie, simptomat e virusit – ethe të forta, kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje – në të vërtetë  janë reagimi i organizmit të njeriut, që i përgjigjet ekspozimit ndaj 5G. Teoria është pritur me skepticizëm nga ekspertët, të cilët theksojnë se raste të koronavirusit janë identifikuar edhe në shumë zona pa rrjete 5G.

Një teori tjetër sugjeron se rrjeti 5G dobëson sistemin imunitar dhe tjetra thotë se virusi po përdor valët e rrjetit për të komunikuar dhe zgjedhur viktimat, duke përshpejtuar kështu përhapjen e tij. Tanja Rebel, një aktiviste dhe pedagoge e filozofisë në Kolegjin Isle of Wight, u shpreh per mediat britanike se “shumë studime tregojnë se Rrezatimi Elektro-Magnetik (EMR) ndikon mbi sistemin imunitar duke e dobësuar dhe duke ndihmuar kështu viruset dhe bakteret të lulëzojnë”.

Edhe pse 5G përdor frekuenca të ndryshme radiofonike nga paraardhësit e tij, është e rëndësishme që të theksohet se këto valë nuk janë jonizuese. Kjo do të thotë se ato nuk kanë energji të mjaftueshme për të arritur tek ADN-ja në qelizat tona dhe për të shkaktuar dëme në organizëm.

Në mars, shkencëtarët e Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi përfunduan një studim të madh për të gjitha çështjet që lidhen me këtë temë deri më tani.

Konstatimi kryesor është se nuk ka asnjë provë që rrjetet 5G mund të shkaktojnë kancer ose sëmundje tjetër, edhe studiuesit rekomandojnë kufizimin e aftësisë transmetuese të vetë aparateve.

Teoria e dytë duket se bazohet te puna e një biologu, fitues i çmimit Nobel, që sugjeron se bakteret mund të gjenerojnë valë radio. Por kjo mbetet një ide e diskutueshme.Dhe në çdo rast, Covid-19 është një virus më shumë se një bakter. Plus ekziston një tjetër problem i madh me këto dy teori. Koronavirusi po përhapet në qytetet ku 5G nuk është vendosur akoma kjo teknologji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë