Analize

Përse po shpërfill BE-ja problemet e vërteta të Shqipërisë?

Kur bie fjala për anëtarësimin në Bashkimin Europian, dallimi midis pesimistëve dhe optimistëve në Ballkanin Perëndimor është se këta të fundit besojnë se Turqia do të bëhet pjesë e unionit gjatë presidencës shqiptare të BE-së, ndërsa të parët, besojnë Shqipëria do të bashkohet gjatë presidencës turke të BE-së. Më pak fjalë kurrë!

Megjithatë prozhektorët e BE-së duket se janë drejtuar papritur këtë verë nga Ballkani Perëndimor, pas më shumë se 10 vitesh harresë. Pas vizitave të njëpasnjëshme të liderëve Perëndimorë në Shkup, ministrat e Brendshëm të BE-së janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar mbi reformën në drejtësi dhe problemet e tjera dypalëshe. Përfaqësuesit europianë vunë theksin tek emigracioni dhe terrorizmi, por a janë këto sfidat e vërteta me të cilat përballen shqiptarët në përditshmërinë e tyre? A po trajton BE-ja vetëm problemet që prekin në përgjithësi vendet  e tjera anëtare dhe po shpërfill shumë nga problemet që vazhdojnë të mbajnë të gjunjëzuar Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor? Dhe si do të ndikojë kjo te procesi i anëtarësimit

Komisioneri Europian për Emigracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos dhe Komisionerja për Drejtësi, Barazi Gjinore dhe Konsumatorët Vĕra Jourová kanë marrë pjesë në të enjten dhe të premten ne Forumin Ministror për Drejtësi dhe Punët e Brendshme të BE-së dhe Ballkani Perëndimor, i cili po zhvillohet në Tiranë.

Komisionerja Jourová diskutoi me ministrat e drejtësisë se mund të forcohet sundimi i ligjit nëpërmjet promovimit të standardeve për gjyqësorin. Ministrat e brendshëm të BE-së pritet të vlerësojnë edhe përparimin e reformës në drejtësi. Ndërkohë komisioneri Avramopulos u takua në ministrin shqiptar të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, për të diskutuar mbi sfidat aktuale që shqetësojnë Bashkimit Eurpopian, emigracionin dhe menaxhimin e kufijve. Ai kërkoi në veçanti bashkëpunimin policor në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Të pranishëm në takim ishin gjithashtu edhe kryetari i Qendrës Europiane për Varësinë nga Drogat(EMCDDA), Alexis Goosdeel dhe Ministri i Brendshëm i Austrisë, Herbert Herbert Kickl.

Presidenti Ilir Meta dhe  Komisioneri Europian për Emigracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos 

Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje për bashkëpunimin kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Europiane të Gardës Bregdetare (Frontex). Marrëveshja u nënshkrua në emër të Bashkimit Europian nga Kickl, Avramopoulos dhe Xhafaj. Kjo marrëveshje lejon që Agjencia Kufitare dhe Rojet Bregdetare Europiane të koordinojnë bashkëpunime operacionale ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë, për menaxhimin e kufijve të jashtëm të unionit. Kufiri dhe rojet bregdetare europiane do të jenë në gjendje të ndërmarrin veprime në Ballkan dhe Shqipëri. Ato mund të përfshijnë ndërhyrjen në territorin shqiptar.

Aktivitetet e përfshira në marrëveshje kanë për qëllim bllokimin e emigracionit të parregullt, edhe pse secili operacion duhet të koordinohej mes Fronteksit dhe Shqipërisë.

“Sfidat e emigracionit dhe sigurisë nuk ndalen në kufijtë tanë të jashtëm. Marrëveshja me Shqipërinë, e para e këtij lloji me një vend të tretë, është një moment i rëndësishëm për menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së. Shpresoj se kjo marrëveshje do të hapë rrugën për bashkëpunim më të madh me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor “, tha Avramopulos.

“Futja e masave të reja për përmirësimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të BE-së ka çuar në një rënie të konsiderueshme të kalimeve të paligjshme të kufirit. Por duhet të bëhet akoma më shumë. Bashkëpunimi me fqinjët tanë është veçanërisht i rëndësishëm. Kjo marrëveshje do të na lejojë të rrisim mbështetjen tonë për Shqipërinë për sigurimin e kufijve të saj “, theksoi Kickl. Ndërkohë, Goosdeel diskutoi hapat e ardhshëm për bashkëpunimin e EMCDDA-s në Shqipëri me Zëvendësministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari dhe zëvendësministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

Ky takim i rrallë për një rajon si Balkani erdhi pak pasi kryeministrat e Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës udhëtuan drejt Gjenevës për të marrë pjesë në një forum në ekonomik . Për shumicën e ekspertëve perëndimorë takimi ministror tregoi edhe njëherë se BE-ja nuk ka ende një strategji zyrtare për të trajtuar në tërësi sfidat me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor. Për shumicën e analistëve, BE-ja ka treguar në shumë raste se përparësia e saj në rajon janë sfidat që prekin vendet e tjera anëtare, si lufta kundër terrorizimit apo emigracionit, edhe pse kuadri i problemeve me të cilat përballet Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është shumë i gjerë. Ndërkohë që në Tiranë ndodheshin ministrat e brendshëm të vendeve europiane, një zonën e ish-Bllokut ndodhi një ekzekutim me armë, duke lënë 2 të plagosur dhe një të vdekur. Ngjarja e rëndë bëri që shumë analistë shqiptarë të pyesnin ndër të tjera nëse Tirana është një vend i sigurt për mbajtjen e forumeve europiane.

Në një shkrim të publikuar pak para mbërritje së ministrave europianë në Tiranë, Angelina Eichhorst, Drejtore për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Planit e Veprimit të Jashtëm të BE-së, shkruante se Brukseli  ishte i gatshëm të bashkëpunonte me autoritetet në Ballkan në luftën kundër krimit të organizuar, në menaxhimin e flukseve të emigracionit apo e sigurimin e energjisë.


Forumi Ministror për Drejtësi dhe Punët e Brendshme të BE-së dhe Ballkani Perëndimor, Tiranë

“Vetëm duke punuar së bashku mund të përmbushim sfidat e përbashkëta dhe t’u përgjigjemi me sukses kërcënimeve të përbashkëta. Integrimi i BE-së është mjeti më i mirë që kemi për t’i mbledhur vendet anëtare të Europës dhe Ballkanit Perëndimor në të njëjtën tryezë dhe për të krijuar zgjidhje të përbashkëta në mënyrë që të gjithë europianët të mund të jetojnë në paqe, liri dhe prosperitet”, shkruante ajo. Por është e qartë se strategjia e zyrtareve europianë nuk ka kontribuuar në përmirësimin e situatës në vendin tonë. Sipas Transparency International, korrupsioni në Shqipëri brenda sektorit publik mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit, veçanërisht brenda partive politike, sistemit të shëndetësisë dhe sistemit të drejtësisë. Pagat e ulëta, ryshfeti dhe institucionet e dobëta e bëjnë të vështirë luftimit të korrupsionit në mesin e  policëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të doganave.

Tendenca për t’u përqendruar vetëm tek kriteret dhe kushtet e pranimit në BE,  ka bërë që  zyrtarët europianë të krijojnë një pikëpamje mjaft të cunguar për sfidat me të cilat përballet Shqipëria. Ajo ka shpërfillur sipas eksperteve disa nga sfidat e vërteta të vendit tonë, si droga dhe krimi i organizuar, të cilat ishin ndër arsyet kryesore pse Këshilli i BE zgjodhi të vononte në qershor procesin e anëtarësimit dhe të mos miratojë plotësisht rekomandimin e Komisionit të BE në prill për të filluar menjëherë bisedimet me vendin tonë.

Një draft që po qarkullonte këtë verë mes vendeve anëtare të BE-së vlerëson se reforma në drejtësi në vendin tonë është ende në hapat e parë dhe se korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha, duke qënë një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Dokumenti thekson gjithashtu se ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është shumë i ulët. Sipas Francës dhe Hollandës, lufta ndaj krimit në Shqipëri është e pamjaftueshme për shkak të burimeve të kufizuara të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të dobëta. Sikur mos të mjaftonte kjo, rezultatet konkrete të dënimeve dhe konfiskimet e aseteve të zyrtarëve të korruptuar janë të rralla. Madje dy vendet anëtare të BE-së shprehen se Europa ka një detyrë të rëndësishme për t’u vetë-reformuar mbi trazirat politike në Shqipëri dhe Maqedoni. Duke renditur të gjitha arsyet, dokumenti i hartuar nga Hollanda dhe Franca vlerëson se Shqipëria nuk i ka plotësuar ende kushtet për të hapur negociatat, duke u dhënë kështu një shuplakë jo vetëm zyrtarëve të Komisionit Europian, por edhe qytetarëve shqiptarë, të cilët e shohin anëtarësimin në BE si shpresën e vetme për vendin.

Megjithatë, sipas një shkrimi të publikuar nga “Emergin Europe” shqiptarët mund jenë fajtorë për këtë vonesë. Nga njëra anë, qeveritë e mëparshme ndoshta nuk e morën seriozisht procesin e pranimit. Nga ana tjetër, shqiptarët vuajnë nga Sindroma e Impostorit, një fenomen psikologjik në të cilin njerëzit janë të bindur se nuk e meritojnë suksesin që kanë arritur. Vonesat në bisedimet e pranimit në BE, duke parë që vendet fqinje bëjnë hapa të rëndësishëm, kanë nxitur këtë kompleks inferioriteti duke krijuar një rreth edhe më vicioz.

 Zoran Zaev, Benis Zvizdic, Johannes Hahn,  Ana Brnabic,  Edi Rama, Dusko Markovic dhe Isa Mustafa, 

Ku ka ngecur anëtarësimi i Ballkanit?

Në një intervistë të realizuar së fundmi, Florent Marciacq, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qendrës austro-franceze për zgjerimin e Bashkimin Europian, shprehet se shumica e vendeve anëtarë jannë kundër zgjerimit të mëtejshëm të unionit.

“Ka vërtet një dritare strategjike që i mundëson Ballkanit Perëndimor të mbetet në agjendën e BE-së për vitet e ardhshme. Pas Bullgarisë, Presidenca e Këshillit do të merret nga Rumania, Finlanda, Kroacia dhe Gjermania në vitin 2020. Shumica e këtyre vendeve kanë marrëdhënie të forta me rajonin dhe kanë interes për promovimin e integrimit Ballkanit Perëndimor”, shprehet ai. “Por Ballkani Perëndimor do të duhet të konkurrojë me shumë çështje të tjera të identifikuara nga Presidencat e BE-së si prioritete më të larta (Brexiti, emigrimi, siguria ndërkombëtare, ekonomia, populizmi etj.) Shumica  e vendeve europiane janë kundër zgjerimit të mëtejshëm dhe duan të fokusohen tek zgjidhja e problemeve të brendshme të BE-së”, thotë ai.

Faktorët që e kanë sjellë sërish Ballkanin në qendër të vëmendjes së Bashkimit Europian fillojnë nga kriza e fundit e refugjatëve dhe përfundojnë me referendumin në Maqedoni. Por edhe pse shpresat për integrimin janë rritur, BE-ja sipas “The Guardian” vazhdon të jetë një organizatë që “jep pak para dhe me shumë fjalë.”

Tani që BE-ja ka shprehur ambicjen e saj për të transformuar rajonin, duhet të jetë më e vetëdijshme se kurrë për ndryshimet gjeopolitike që kanë ndodhur. Në vitin 2003, kur BE-ja premtoi anëtarësimin e parë, nuk kishte dyshim se e ardhmja e rajonit do të ishte Europa.  Rusia po e shihte Ballkanin kryesisht si një zonë tranziti për eksportet e saj të energjisë në tregjet e Europës Perëndimore.

Sot, konkurrenca gjeopolitike është edhe më e përhapur. Kina do të bëhet investitori i huaj numër një në Serbi këtë vit, ndërkohë që në lojë ka hyrë edhe Turqia. Është ende e paqartë se si presidenti i saj, Rexhep Tajip Erdogan, do të luajë letrat e tij në Ballkanin perëndimor. Ndërsa Ankaraja është duke u përpjekur të ndërtojë ndikimin e saj në mesin e komuniteteve myslimane në Ballkan, Moska po shfrytëzon të krishterët ortodoksë. Nëse BE-ja nuk zgjohet ne kohë ndaj këtyre realiteteve të reja gjeopolitike, strategjia e saj për Ballkanin Perëndimor do të shkojë drejt dështimit.

Burimet: “Western European Balkans”, “The Guardian”, Emergin Europe”, “Europa.Eu”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë