Analize

Pse s’po na ndihmon Kina

Kur Ambasada Shqiptare në Pekin vendosi të mbante si çdo vit një aktivitet për festat e 28-29 nëntorit, mori sinjalin e parë së marrëdhëniet mes Kinës dhe vendit tonë kishin pësuar një “krisje” të thellë.  Për herë të parë asnjë zyrtar kinez nuk mori pjesë në këtë ceremoni, e cila mbledh zakonisht një sërë përfaqësuesish dashamirës të Shqipërisë.

Sinjali tjetër i ftohjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, do të vinte dy javë më parë, kur Shqipëria i kërkoi ndihmë Kinës për të përballuar situatën me pandeminë e koronavirusit. Zv/ ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se kishte bërë një komunikim zyrtar me ambasadën e Republikës së Kinës duke ia shprehur këtë kërkesë. Më një prill, ashtu si në të gjitha vendet e Ballkanit, Kina i dhuroi Shqipërisë 1 mijë teste për Covid-19. Por ndryshe nga rajoni, për Shqipërinë, ndihma do të përfundonte me kaq.

Pekini ka vazhduar shpërndarjen e 30 ventilatorëve në Maqedoninë e Veriut, dërgimin e ndihmave mjekësore dhe 3 mijë testeve në Mal të Zi, dhe nisjen e mjekëve dhe pajisjeve drejt Serbisë dhe Bosnjës. Por deri më tani, për vendin tonë nuk është dërguar as edhe një ndihmë tjetër.

Burime zyrtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme i thanë Gazetës Si se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar pasi qeveria shqiptare mbështeti rezolutën e perëndimit për  të drejtat e protestuesve të Hong Kongut. Kjo rezolutë duket se ka pasur impakt të madh në marrëdhëniët dy-palëshë. Burimet i thanë gazetës Si se pas kësaj rezolute, pjesa më e madhe marrëveshjeve dypalëshe janë lënë pezull.

Marrëdhëniet me Kinën pësuan më pas një tjetër goditje të rëndë pasi qeveria shqiptare dëgjoi këshillën e SHBA-së për të mos futur teknologjinë 5G nga kompania shtetërore kineze Huawei. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe Shqipërisë të qendrojë larg Kinës, duke e cilësuar këtë të fundit si kërcënimin dhe armikun më të madh vendeve të NATO-s. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vlerësuar sërish sot Shqipërinë për mos blerjen e rrjetit 5G nga Kina duke deklaruar se vendi ynë fitoi një “betejë” në luftën për siguri.

Por në këtë betejë, Shqipëria duket se ka humbur partneritetin me Kinën. Ky partneritet mund të kishte luajtur një rol kyç në luftën kundër koronavirusit.  Ashtu si Serbia, edhe Shqipëria ka nevojë urgjente për maska dhe pajisje mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendi ynë ka vetëm 140 ventilatorë. Bashkimi Europian ka parashikuar se koronavirusi mund të prekë rreth 70% të popullsisë së Europës, një skenar i papërballueshëm jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga një pjesë e madhe e vendeve anëtare të BE-së. Për vendin tonë, ku numri i maskave dhe ventilatorëve është i kufizuar, donacionet e jashtme janë jetësore. Por deri më tani, të paktën publikisht, Kina nuk duket e gatshme të “zgjasë dorën”.

Duke qënë se pandemia filloi në Kinë, Pekini u pa si një nga burimet e pakta të ndihmës për vendet në nevojë, sidomos për vendet e rajonit. Përvec ndihmës që i ka ofruar Italisë dhe Spanjës, Kina po e përdor pandeminë edhe për të shtrirë më tej ndikimin në Ballkan.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Kina është “e vetmja që mund të ndihmojë Serbinë. Ajo ka dërguar në Beograd mjekë, mjete mjekësore, teste dhe ekspertë.

Vuk Vukanoviç, ekspert mjaft i njohur në lidhje me ndikimin e Kinës në Ballkanin Perëndimor thotë se në kushte normale Shqipëria do të ishte e dyta pas Serbisë që do t’i ofrohej ndihmë për koronavirusin.

“Kina do të përdorë çdo mundësi për të ndihmuar vendet e prekura siç po shohim në rast të Italisë dhe Serbisë. Shqipëria mund të jetë e dobishme për një operacion të tillë markimi nga kinezët, pasi Shqipëria është e përfshirë në të dy projektet e Brezit dhe Iniciativën Rrugore (BRI), si dhe mbledhjen 17 + 1. Natyrisht, do të varet gjithashtu nga sa e vështirë bëhet Shqipëria dhe mundësia për të krijuar një kanal të fortë komunikimi me kinezët në mënyrë që ndihma eventuale të dorëzohet”, thotë ai.

Sipas tij, problemi kryesor në marrëdhëniet mes dy vendeve është se Kina dëshiron të shfrytëzojë Ballanin për ndikim gjeo-politik ,ndërkohë që Shqipëria dëshiron të përfitojë ekonomikisht pa u afruar me Pekinin.

“Ndërveprimet diplomatike dhe ekonomike midis Pekinit dhe Tiranës ekzistojnë. Pekini arriti disa përfitime ekonomike në Shqipëri, si për shembull pronësia mbi aeroportin në Tiranë. Sidoqoftë, ne gjithashtu shohim që disa projekte kineze në vend janë në vështirësi, si kompania Geo-Jade Petroleum që u akuzua për korrupsion në Shqipëri. Shqipëria duket se është e interesuar të nxjerrë përfitime ekonomike nga Kina pa e detyruar veten politikisht nga afër me Kinën, veçanërisht pasi marrëdhëniet me SHBA dhe NATO mbesin pjesët më të qëndrueshme të politikës së jashtme dhe të sigurisë shqiptare. Nëse shpërthimi COVID-19 i bashkon të dy vendet, kjo varet nëse Kina dërgon ndihmë për Shqipërinë dhe nëse Pekini do ta përdorë atë për të fituar një levë shtesë politike nëse kjo ndodh”, Vukanoviç


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë