Analize

Përse italianët janë ngritur kundër TAP

Edhe pse në Shqipëri gazsjellësi Trans-Adriatik është pritur krahëhapur, dalja e tij drejt brigjeve italiane po kundërshtohet hapur nga banorët dhe aktivistët të cilët shprehen se TAP paraqet rreziqe të mëdha mjedisore për fshatrat piktoresk të vendit fqinj.

Aktivistët në fshatin e Melendugos në rajonin e Pulias po protestojnë prej javësh kundër ndërtimit të gazsjellësit TAP, edhe pse ai është një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Europian. Por edhe pse erdhi në pushtet me premtimin se do të ndalte ndërtimin e tij, "Koalicioni i Popullit Italian" është tërhequr duke thënë se Roma zyrtare nuk mund të përballojë kostot e anulimit të gazsjellësit. Kryeministri italian Xhuzepe Konte ka shpjeguar pse nuk mund ta ndalë projektin, në një letër të hapur për komunën ku pritet të vijë në breg tubacioni, i cili është shumë pranë përfundimit në vendin tonë. Kryeministri italian ka thënë se edhe vetë ai ka qenë fuqimisht në anën e aktivistëve që protestuan kundër tubacionit.

Pasi u emërua kryeministër më 1 qershor, Konte u takua me kryetarin e Bashkisë së Melendugut, së bashku me një grup banorësh si dhe me një delegacion të madh të parlamentarëve të Pulias dhe u tha atyre se ai ishte kundër projektit. Sipas kryeministrit italian, ky ishte një gazsjellës i mbështetur nga qeveritë e mëparshme. Ai premtoi se kabineti i tij do të shqyrtojë të gjitha procedurat e autorizimit për të identifikuar nëse kishte ndonjë marrëveshje të paligjshme. Por hetimet nuk sollën rezultate.

Proteste në fshatin e Melendugos

"Verifikimet e kryera nuk na japin të drejtë për të parandaluar realizimin e projektit TAP: për shtetin nuk ka pasur asnjë gjë ilegale në mënyrën sesi janë realizuar procedurat", shkruan Conte. Më tej, Kryeministri italian shpjegon me detaje se sa e kushtueshme do të ishte që shteti të anulonte në mënyrë të njëanshme ndërtimin e TAP në Itali.  Sipas Kontes, shteti italian do të duhet të kompensonte:

-konsorciumin Tap dhe aksionerët e saj (Socar, BP, Snam, Fluxys, Enagas, Axpo) për kostot e ndërtimit dhe mos zbatimin e kontratave përkatëse si dhe për humbjen e të ardhurave

-kompanitë importuese të gazit (përfshirë: Edison, Shell, Eon dhe të tjerë) që kanë blerë tashmë gaz me çmime të ulëta me qëllim transferimin e shpenzimeve më të larta të prokurimit në shtetin italian për 25 vitet e ardhshme;

-transportuesit e gazit që do të dilnin me humbje pas shitjes së gazit në Turqi dhe jo në Itali.

Ekspertët shprehen po ashtu se duke ndërprerë gazsjellësin TAP, shteti italian do të përfshihej në një mosmarrëveshje të gjatë dhe të kushtueshme, shpenzimet e të cilës mund të arrijnë deri nga 20 deri 35 miliardë euro. Miratimi i gazsjellësit Trans-Adriatik është pritur me zemërim dhe tërbim edhe nga mbështetësit e lëvizjes "Pesë Yjet".

Kryeministri italian Xhuzepe Konte

Disa ish-simpatizantë të "Pesë Yjet" i vunë zjarrin flamurit të lëvizjës në Melendugno, të dielën për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për të miratuar gazsjellësin. Përpara zgjedhjeve në mars, "Pesë Yjet" premtoi se do të anulonte projektin në qoftë se merrte pushtetin, por pas disa muajsh diskutimesh, Luiggi Di Maio pranoi se ndërtimi i gazsjellësit do të duhej të shkonte përpara. Ai tha se Italia do të përballet me gjoba prej 20 miliardë euro gjobë nëse do të tërhiqej në këtë fazë.

Projekti i gazsjellësit, i parë nga Brukseli si një gur themeli i sigurisë energjitike të BE-së, do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Europës. Pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, TAP kalon në Greqinë e Veriut, Shqipëri, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror. Aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit që ka nisur në vitin 2016, dhe në fundin e tre-mujorit të tretë të 2018, projekti TAP ka qenë 80.7% i përfunduar

Duke u përballur me tallje dhe kritika në mediat sociale, Di Maio tha se ai dhe partia e tij ishin nën sulm, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë Italisë dhe u kërkoi mbështetësve të "Pesë Yjeve" të mos dilnin në mbështetje të “armikut”.

Luiggi Di Maio

"Sot, në ushtrinë tonë, disa njerëz po tregojnë shenja dobësie ... Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes një dobësi të tillë," shkruante Di Maio në faqen e internetit të partisë. "Dështimi më i vogël do të thotë se i gjithë vendin që kemi pushtuar do të kthehet në tokën e askujt".

Pesë Yjet dhe Lega Nord po luftojnë kundër kufizimeve të qeverisë, të cilat bien ndesh me premtimet e dhëna përgjatë fushatës zgjedhore. Di Maio tha se e kishte kuptuar sa i kushtueshëm do të ishte anulimi i TAP-it  vetëm pasi mori detyrën dhe pati qasje në dokumente zyrtare. Por ministrat e qeverisë së mëparshme mohuan versionin e tij të ngjarjeve dhe thanë se i gjithë dokumentacioni ishte publik.

"Ata po gënjejnë", tha ish-kryeministri Matteo Renzi. "Pesë Yjet premtuan të bllokonin TAP brenda dy javësh pasi të kishin marrë detyrën ... Ata morën votat dhe pas gjashtë muajsh ndryshuan mendjen, "tha Renzi në një deklaratë.

Përse aktivistët janë kundër TAP?

Proteste në fshatin e Melendugos

Ajo që filloi si një debat rreth pemëve të ullinjve është kthyer tanimë në një protestë të madhe për mbrojtjen e mjedisit në Italinë Jugore.

"Lufta jonë filloi si mbrojtje ndaj tokës sonë", thotë Gianluca Maggiore,  anëtar i grupit të aktivistëve që kundërshtojnë TAP-in. "Tani ne po luftojmë kundër sistemit, kundër shtrembërimit të tregjeve të energjisë, kundër spekulimeve nga kompanitë shumëkombëshe".

Tubacionet e gazsjellësit do të dalin në breg nga Shqipëria pranë qytetit turistik bregdetar të San Focas, i njohur për ujërat e kristalta dhe pemishtet e pafundme të ullinjve, disa prej të cilave janë aq të gjerë sa lisat.  Këto pemë fillimisht u cilësuan si pengesa më e vështirë për vazhdimësinë e TAP-it.

Shoqatat lokale dhe zyrtarët qeveritarë janë duke luftuar planet e kompanive që po ndërtojnë gazsjellësin për të shkulur më shumë se 1,600 rrënjë ulliri, pavarësisht premtimeve për të mos të dëmtuar mjedisin.

Aktivistët shprehen se rreziqet mjedisore që paraqet TAP janë të panevojshme për shkak të kapacitetit të tepërt të gazit në vend. “Kërkesa për gazin natyror në Itali është shumë më e ulët se ajo e dhjetë viteve më parë. Nuk ka kuptim që të sjellim më shumë gaz në Itali kur kemi tashmë mjaftueshëm dhe po përpiqemi të ndërpresim djegien e lëndëve fosile”, tha Maggiore për gazetarët.

TAP-i ka marrë një rëndësi edhe më të madhe strategjike me ndërtimin e tubacionit , “Nord Stream 2”, i cili do të transportojë gazin nga Rusia në Gjermani.  Por janë edhe ambjentalistët italianë shprehen se Puglia, e cila ka dy vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, do të përballet me pasoja të rënda si pasojë e tubacionit. Sipas tyre TAP do të kontaminojë furnizimet me ujë të pijshëm. Aktivistët kanë gjithashtu frikë se plazhet do të shndërrohen në vende ndërtimi, duke kërcënuar bukuritë e Mesdheut.

Burimet: "Euroactiv", "Reuters", "Corriere della Sera" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë