Rend dhe Ligj

Përplasjet te Teatri, 7 të arrestuar. Mes tyre kreu i Vetëvendosjes në Tiranë

Një ditë pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe përplasjes rreth 12-orëshe, policia njofton se ka arrestuar 7 persona për kundërshtim të forcave të rendit dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.

Mësohet se janë arrestuar Boiken Abazi, Kastriot Qemaj, Sokol Ndoj, Romeo Lila, Endrit Mertiri, Burim Tafilica, Edjon Xhoxhaj.

Mes tyre bie në sy dhe emri i kreut të Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi i cili jo vetëm ishte prezent dhe mbështeti protestën, por edhe mbajti një fjalim.

Më tej, policia bën me dije se janë plagosur 7 policë gjatë përplasjes.

“Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme ‘Shqiponja’. Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin ‘Nënë Tereza’ dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, thotë policia.

Ndërkohë nga 64 të shoqëruar në total, u proceduan penalisht 21 shtetas.

Ndërsa, për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit apelon për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, se grumbullime të tilla janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Aktin normativ duke u shndërruar në një rrezik potencial për përhapjen e infeksionit COVID-19, pasi Tirana është ende një zonë e kuqe në hartën epidemiologjike të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë