Lajme

Përplasjet për KZAZ në Kamëz, 3 në pranga dhe 3 në kërkim

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 shtetas dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë, pasi akuzohen për vepra penale kundër procesit zgjedhor. Mësohet se të arrestuarit janë nga Babrruja dhe kanë ushtruar dhunë në ambientet e KZAZ-së në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Andon Prençi, Petrit Prençi vëllezër me njëri-tjetrin dhe Dritan Dervishi.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet L. M., R. N. dhe B. P.
Personat në fjalë ishin militantë të PD-së dhe kanë hapur me forcë derën kryesore të shkollës “Ibrahim Rugova” e cila ishte kthyer në KZAZ nr. 27 për materialet zgjedhore të 30 qershorit. Më 19 qershor dhjetëra protestues u përleshën me efektivët e policisë. Të paktën pesë persona mbetën të plagosur si pasojë e përplasjeve, mes të cilëve dy efektivë të Policisë së Shtetit dhe të paktën një efektiv i policisë bashkiake.
Ndërkohë, policia njofton se vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë për shtetasit e shpallur në kërkim. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë