Lajme

Përplasjet në KZAZ, arrestohen 12 vetë në Tropojë e Shkodër, 20 në kërkim. Mes tyre Bardh Spahia

Dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit ka sjellë përplasje të mëdha në vend, një luftë mes qeverisë dhe presidentit. Kjo pasi bashkitë e djathta janë pro vendimit të Metës dhe kjo ka çuar në konfrontime fizike dhe arrestime.
Një ditë pas situatës së tensionuar nëpër KZAZ në Tropojë dhe Shkodër, policia ka vënë në pranga 12 persona.
Në Tropojë, policia ka vënë në pranga 7 persona, pasi dje disa shtetas hynë në mëngjes në ambientet e KZAZ nr. 9 në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri të Tropojës, duke hequr që aty materialet zgjedhore.
Ata akuzohen për “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Policia ka vënë në pranga shtetasit:
A. G., 31 vjeç, banues Bajram-Curri-Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
I. M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
N. N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
H. Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
B. P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
A. G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka qenë me masën e sigurisë arrest shtëpie.
A. G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Po ashtu, Policia e Shkodrës, pas përplasjes mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, bën me dije se kanë vënë në pranga 5 persona:
G. B., 29 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm”, Shkodër
A. N., 41 vjeç, banues ne lagjen “Guerrile”, Shkodër, punonjës i Policisë së Bashkisë Shkodër
A. G., 50 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër
A. N., 39 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër
O. Th., 17 vjeç, banues në Shkodër
Janë shpallur në kërkim policor 14 shtetas dhe janë proceduar 2 të tjerë të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Është shpallur në kërkim nga policia edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, pas incidenteve të mbrëmshme në Shkodër, ku mbështetësit e opozitës i vunë flakën klasës së shkollës “Shejnza Juka”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Policisë së Rendit Publik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë