Ne rrjet

Debate për vizitën e Kurtit në Tetovë e Çair, Pendarovski: Provokim nacionalist, ndez urrejtjen etnike. Berisha: Presidenti i RMV u nxitua

Në Maqedoninë e Veriut po shtohen debatet dhe kritikat në mesin e partive politike maqedonase dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë pas qëndrimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të premten në Çair të Shkupit dhe në Tetovë. Faktorët politikë maqedonas e shikojnë si nacionaliste paraqitjen e zotit Kurti, gjatë fjalimit të të cilit, para mijëra përkrahësve në Tetovë, shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë së Madhe”.

Ndërkohë, emërtimi i një rruge në komunën e Çairit sipas veprimtarit Adem Demaçi, në përurimin e së cilës mori pjesë zoti Kurti, po ashtu ka hasur në pakënaqësi të shumta tek maqedonasit për shkak të “ndryshimit të emërtimeve pa një konsensus të gjerë ndëretnik”.

Rruga deri tani mbante emrin “Brigada e 2-të Sulmuese Maqedonase”.

Presidenti Stevo Pendarovski reagoi fillimisht përmes një shkrimi në Facebook të dielën duke e cilësuar mitingun në Tetovë si “një ikonografi provokuese nacionaliste me ide shoviniste që ndez urrejtjen etnike dhe nxit mosdurimin”. Ai shkruan më tej se në këtë mënyrë “sulmohen parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Maqedonisë si një shtet shumetnik”.

Presidenti maqedonas kërkon ndëshikimin e organizatorëve të tubimeve në Tetovë dhe në Çair për shkeljen, siç thotë “të përcaktimeve ligjore kundrejt përdorimit të flamurit shtetëror, himnit dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, me ç’rast janë injoruar tërsisht simbolet shtetërore”.

Lidhur me emërtimin e rrugës “Adem Demaçi”, Pendarovski shprehet se mënyra dhe realizimi i rimemërtimit të rrugës bie ndesh me parimet e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve brenda shtetit. Ai pret që srukturat e autorizuara të kontrollojnë se a është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë (të kualifikuar) që përfshin votat e komuniteve jo-shumicë gjatë marrjes së vendimit për ndryshimin e emrit të rrugës. Në komunën e Çairit në Shkup shqiptarët përbëjnë mbi 60 për qind të popullatës.

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE fajin ia hedh qeverisë të drejtuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) për lejimin e organizimeve të pritjes së zotit Kurti, ndërsa kritikon edhe Presidentin Pendarovski për reagimin e vonuar.

Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së shkruan në rrjetet sociale se Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka votuar në një seancë të qeverisë për ndryshimin e emrave të rrugëve, teksa e akuzon atë për tradhëti ndaj interesave dhe popullit maqedonas.

“Aktrimi juaj i partiotizmit dhe i shërbëtorëve tuaj në opozitë nuk ju ka hije sepse nuk ka tradhëti pas së cilës nuk qëndron nënshkrimi juaj”, shkruan Mickovski.

Nga ana tjetër, LSDM akuzon VMRO-në se ka lejuar ndryshimin e emrave të rrugëve me anë të partnerëve të saj joformal. “Mickovski dhe DPMNE janë organizatorët e ngjarjeve në Shkup dhe në Tetovë. Bilall Kasami u bë kryetar komune në Tetovë me mbështetjen e (VMRO) DPMNE-së, ndërsa bashkëpunimi i tyre vazhdon në Këshillin Komunal, në Parlament dhe në fusha të tjera”, thuhet në një deklaratë të LSDM-së.

Kryeministri i Kosovës gjatë qëndrimit në Shkup dhe Tetovë nuk u takua me zyrtarët qeveritarë, por u prit nga tre drejtues të partive opozitare shqiptare. Në Tetovë ai foli mes tjerash për rëndësinë e një rruge që do të lidhte Prizrenin me Tetovën me anë të një tuneli në Malin Sharr. Po ashtu, theksoi se Maqedona e Veriut duhet të mbahet më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe sa më larg Serbisë, që të afrohet drejt BE-së.

Gjatë përurimit të rrugës “Adem Demaçi”, zoti Kurti u shpreh se emërtimi i një rruge me emrin e Demaçit, është akt këmbënguljeje në përpjekjen e shqiptarëve për liri.

Reagon Berisha: Fobia ndaj emrit të Adem Demaçit, lënduese jo vetëm për shqiptarët

Sali Berisha ka reaguar pas debateve dhe kritikave ndaj vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut. Në një postim në Facebook, Berisha u shpreh i lënduar ndaj deklaratave të presidentit maqedonas Stevo Pendarovski për emërtimin e një rruge në Çair me emrin Adem Demaçi.

Sipas Berishës reagimi i Pendarovskit është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë.

“Ajo që më lëndoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Europës, tribunit të lirisë, lauratit të Çmimit Saharov të Parlamentit Europian. Adem Demaçi me qëndresën e tij epike 28 vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe për maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste. Në këtë kuadër reagimi negativ i Presidentit Pendarovski ndaj këtij akti që i bënë nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike, nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim”.

Ai akuzoi edhe presidentin serb si albanofob dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrjet e tij që nxisin tensionet në rajon.

“Vuçiç e quajti vizitën e Kurtit si skandalin e skandaleve duke ndërhyrë kështu për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje e të pavarura. Me qëndrimin e tij paternalist ndaj vendit fqinj të pavarur e sovran, ai dëshmon se kërkon të bëjë rolin e xhandarit të rajonit nga pozita ultranacionaliste serbomadhe. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrje të tilla paternaliste të presidentit të serbomadhisë që kanë si qëllim rritjen e tensioneve dhe keqësimin e marrëdhënieve midis fqinjëve në rajon”.

Po kështu ai akuzoi edhe kryeministrin Rama si përçarës në rajon me nismën Ballkani i Hapur dhe përplasjet me forcat politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë