Analize

‘Vatrat’ e nxehta të gushtit në Ballkan (jo vetëm nga temperaturat)

Nga Gazeta Si - Thuajse çdo verë e gjen Ballkanin me 6 shtete me një problematikë të re. Ky muaj përvëlues nga temperaturat po shoqërohet me zhvillime dhe situata unike për secilin nga këto vende. E kjo paralel me frikën se Rusia po përpiqet që të shpërndajë vëmendjen nga Lufta në Ukrainë e të nxisë tensionet dhe destabilizimin e rajonit të Ballkanit.

Dhe gushti që duhet të jetë muaj pushimesh nuk duket aspak i tillë. (Të paktën liderët botërorë po pushojnë në këto ditë, po sy e veshë janë anë e kënd botës për zhvillimet).

Ndryshe nga pjesa më e madhe e drejtuesve politik, në Ballkan nuk janë me pushime.

SPAK, inceneratorët, kulla dhe PS që ‘pushon’ në Shqipëri

SPAK që nuk po pushon këtë verë

Një gusht i nxehtë mund të konsiderohet edhe për Shqipërinë. Politika nuk është dominuese këto ditë temperaturash të larta por zhvillimet që lidhen me të janë absolutisht. Sjellim në vëmendje hetimin e SPAK për inceneratorët kur deri më tani rezulton me shpalljen në kërkim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, si dhe vijimin e hetimeve për një tjetër çështje që lidhet me tenderin e sterilizimit  dhe check-up. Për të dyja këto dosje SPAK prej vitesh po heton ndërsa janë thirrur në prokuroi krahas zyrtarëve në dijeni të dosjes edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si dhe qytetarë të thjeshtë për të vërtetuar nëse kanë bërë analizat e përgjithshme të check-up siç pretendohet në të dhënat zyrtare.

Ne foto: Kulla që do të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit

Një tjetër debat i këtij muaji është edhe ndërtimi i një kullë ajo më e larta në Ballkan 205 metra me 64 kate për të cilën zëra nga mazhoranca kanë aluduar se pas ndërtuesit kryesor fshihet djali i Sali Berishës, Shkëlzeni. Këtij zjarri i ka fryrë edhe Lulzim Basha i zgjedhur nga ajo që ka mbetur zyrtarisht në PD si kryetar partie me pjesën e tij që përfaqësohet edhe në këshillin bashkiak të Tiranës, aty ku njëra prej tyre depozitoi një padi në SPAK për çështjen në fjalë.

Në anën tjetër Sali Berisha që vijon të përgjigjet për akuzat drejtuar ndaj djalit të tij, flet për emra të tjera sipas tij përgjegjës për  inceneratorin e Tiranës, si dhe ka intensifikuar daljen e njerëzve të tij nga selia blu në një luftë të “ftohtë” qëndrimesh politike se kush po bën opozitën reale nga dy grupet brenda PD-së.

E vetmja forcë që po “fle gjumë” është PS-ja e cila u rindez në fund të korrikut me largimin e Damian Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm dhe daljen formale të tij për t’ia kaluar stafetën Blendi Klosit. Ky i fundit foli për riorganizim të strukturave në çdo fshat dhe mobilizim forcash deri në shtator kur mbahet kongresi i jashtëzakonshëm, por deri më tash nuk rezulton diçka konkrete.

Rama është me pushime. Po shëtit nëpër Shqipëri dhe po promovon turizmin duke dhënë intervista për mediat e huaja.

Maqedonia e Veriut dhe Ndryshimet Kushtetuese

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

Politika në Shkup vetëm me pushime nuk është. Kjo pasi në Maqedoninë e Veriut ka nisur që në 25 korrik debati parlamentar për ndryshimin e kushtetutës, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.

Ndryshimet në kushtetutë duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Por opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë pas një takimi me Kryeministrin Dimitar Kovaçevskin, më 7 qershor, se “VRMO-ja është e gatshme të mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse do të formohej një qeveri e re, pa BDI-në, si dhe nëse ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian”.

Por, një kërkesë e tillë e VMRO-së është refuzuar edhe nga Bashkimi Evropian, pasi ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në fuqi para se të nisin bisedimet me BE-në për kapitujt e anëtarësimit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ia plotësoi kërkesën opozitës maqedonase. Ai njoftoi në 30 korrik se ministrat dhe funksionarët e partisë që udhëheq ai, kanë dhënë dorëheqje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ahmeti ka thënë se vendimi për dorëheqje është marrë “duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës [VMRO DPPMNE-së] se do t’i votonte ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti

Por, kreu i BDI-së, ka thënë se dorëheqjet e zyrtarëve të partisë së tij do të hyjnë në fuqi pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.

Por këtyre zhvillimeve u kanë paraprirë takimet e intensifikuara mes drejtuesve të partive shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, e cila së fundmi është shkëputur nga BDI në pushtet, e cila aktualisht në Parlament është e përfaqësuar me tre deputetë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se bashkimi i partive shqiptare në një kauzë mund të arrihet përmes një figure të fuqishme rajonale në mesin e shqiptarëve.

Nga ky prizëm e shohin dhe vizitën e paralajmëruar joformale të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, më 11 gusht (dje).

Kurti ishte i ftuar i kryetarit të Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, për të promovuar një rrugë me emrin e ri, atë të Adem Demaçit, dhe në Tetovë me ftesë të kryetarit të kësaj komune, Bilall Kasami, për të diskutuar për aksin rrugor Tetovë - Prizren.

Por zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu nuk u përgjigj konkretisht se pse kësaj radhe Kryeministri i Kosovës nuk takohet edhe me liderin e BDI-së që është pjesë e pushtetit.

Drejtuesit e Frontit opozitar ne Maqedonine e Veriut, Mexhiti, Kasami e Gashi presin Kurtin

“Në kuadër të Forumit të Prespës, në Strugë, kryeministri Kurti kishte zhvilluar takime me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, ka thënë Kryeziu.

Komuna e Çairit dhe Tetova drejtohen nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Visar Ganiu tashmë është rreshtuar në fraksionin e dalë nga BDI-ja, Lëvizja Demokratike - parti kjo e re e cila është duke u formuar - kurse Tetova udhëhiqet nga Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Izet Mexhiti, i cili ka iniciuar formimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike dhe është shkëputur nga BDI  thotë se në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje, është dhe vizita e paralajmëruar joformale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të premten (më 11 gusht).

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski gjatë takimit më 7 qershor 2023.

Maqedonia e Veriut ndodhet para një procesi të rëndësishëm që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, në të kundërtën rrezikon që të bllokohet procesi i integrimit të vendit.

Opozita maqedonase thotë se mungesa e votave për të çuar para ndryshimet kushtetuese tregon se pushteti nuk ka legjitimet.

Edhe opozita shqiptare gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme, pasi siç thekson, Maqedonia e Veriut dhe ardhmja evropiane mbeten ‘peng i strukturave të caktuara të pushtetit që janë të kapura nga korrupsioni’. Por se çfarë rruge do të ndjekë Maqedonia e veriut, kjo do të mësohet në 18 gusht.

Mali i Zi me President të ri, me të mandatuar për Kryeministër, por ende pa qeveri

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç

Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç i mbylli këtë të mërkurë negociatat me partitë politike për sa i përket formimit të qeverisë dhe mandatarin për postimin e kryeministrit të ri.

Zyra e Presidencës bëri të ditur se në selinë presidenciale në Cetinjë, Milatoviç ka zhvilluar konsultime me 18 parti politike. Mes tyre pati një konsultim me përfaqësues të partive politike shqiptare, Nik Gjeloshaj, Ferhat Dinosha dhe Ivan Ivanaj.

Forumi shqiptar ka qenë pro qeverisë që do të krijohet, duke theksuar se do të mbështesë atë ekzekutiv që ndjek rrugën e intgerimit të Malit të Zi në BE.

"Ne mendojmë se mund të marrim një përfaqësues që do ta udhëheqë vendin sipas vlerave evropiane. Ne e mbështesim Milojko Spajiçin për mandatin e kryeministrit  dhe kushdo që ka një qëndrim të qartë si presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, është partner për ne. Ne i respektojmë të gjithë, por është e qartë se askush nuk ka shumicë absolute. Parimet programore janë shumë të rëndësishme për ne. Kushdo që mund të ketë një qëndrim të qartë si Milatoviç është partner për ne", tha kryetari i Forumit Shqiptar Nik Gjeljoshaj pas konsultimeve në Cetinje.

Jakov Milatoviç, Nik Gjeloshaj, Ferhat Dinosha dhe Ivan Ivanaj

Presidenti ka biseduar të hënën edhe me përfaqësuesit e Aleancës Shqiptare të udhëhequr nga Genci Nimanbegu, pastaj me përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe liderin e tyre Mehmed Zenka.

Milatoviç është takuar me përfaqësuesit e Malit të Zi të Bashkuar.

Kryetari i asaj partie, Goran Daniloviç, tha se Spajiç e ka mbështetjen e tyre për mandatin, por se përkrahja për qeverinë do të varet nga përbërja e saj, ministrat, politika. Partia e presidentit, Evropa Tani fitoi zgjedhje e fundit parlamentare. Ata janë të hapur për koalicion duke përjashtuar partinë Lëvizja Ura e kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç dhe sinjale kanë lëshuar për mos bërë koalicion me partinë nacionaliste të serbëve. Për formimin e qeverisë Spajiç është në kërkim të mazhoranca solide prej 49 deputetësh, të cilën nuk e zotëron i vetëm. Zgjedhjet e fundit nxorën nga skena politike 33 vjeçare Milo Gjukanoviçi, që e drejtoi Malin e Zi si Kryeministër dhe President.

Lideri i partisë Evropa Tani, Millojko Spajiq, i mandatuar për kryeministër dhe formim të Qeverisë së re

Këtë të enjte Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq e zgjodhi liderin e partisë Evropa Tani, Millojko Spajiq si mandatar për kryeministër dhe formim të Qeverisë së re.

Ai e ka marrë këtë vendim dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në këtë shtet.

Spajiq i ka tani 90 ditë për të formuar koalicion dhe për ta formuar Qeverinë.

“Pres përgjegjësi dhe përshtatshmëri nga Spajiq, dhe të gjithë aktorët politikë që marrin pjesë në negociatat për formim të Qeverisë”, ka thënë Millatoviq.

“Besoj se në këtë moment, Mali i Zi ka nevojë për Qeveri stabël, të pandarë nga profili evropian”.

Partia Evropa Tani ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Përbërja e Qeverisë në ardhje do të ofrojë një pasqyrë të asaj se kah do të drejtohet ky vend, ndonëse vazhdimisht përmendet synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e qershorit janë mbajtur vetëm disa muaj pasi drejtuesit politik të Malit të Zi janë goditur nga humbja e ish-presidentit Millo Gjukanoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të prillit.

Prej formimit të saj më 2022, partia Evropa Tani është zotuar për të çuar përpara platformën pro evropiane dhe është zotuar për rritje të pagave e kryerje të reformave.

Kosova ende nën sanksione nga BE dhe pa zgjidhje për veriun

Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë, Gazeta "Si", 12 korrik 2023

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mes politikanëve që nuk po pushon këtë verë. Në përpjekje për të hequr sanksionet e BE-së, Kurti po tregon se po jep sinjale për shtensionimin e situatës në veri të Mitrovicës, por që nga partnerët ndërkombëtarë SHBA e BE nuk janë hapa të mjaftueshëm.

Para disa ditësh atij ju dorëhoq Ministri i Mbrojtjes, partneri më i mirë i perëndimit në kabinetin Kurti.

Së fundmi dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan një letër zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti e interpretoi këtë lëvizje se po kërkohet një qasje më e rreptë ndaj Serbisë.

“Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, tha kryeministri Kurti.

Letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas tensioneve në veri të Kosovës.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atë kohë është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve ndërsa ka ndëshkuar Kosovën për mungesë bashkërendimi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se mungesa e bashkërendimit me aleatët perëndimorë ka bërë që Kosova të identifikohet si palë destruktive.

“Ne mund të mos e kishim pasur fare një situatë të tillë sikur kryeministri i Kosovës të ishte bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë ashtu që kryetarët të mos dërgoheshin fare në ndërtesa nga të cilat tash duhet të largohen, që njësitë e posaçme të policisë të mos kishte nevojë të dërgohej fare, dhe tash në vend të asaj ne duhet ta kthejmë situatën në pikën zero, në pikën nga e cila kemi mundur të mos lëvizim fare pa i dëmtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nëpërmjet bashkërendimit të gjendeshin zgjidhje të tjera të cilat tash ne po i kërkojmë dëshpërueshëm”, tha ai.

Zoti Paçarizi tha se Kosova tash ka nisur një lloj bashkërendimi me bashkësinë ndërkombëtare por duhet ta thellojë atë edhe më shumë.

“Sepse çështja është tash kështu, ne po i gëzohemi letrës së disa euro deputetëve, ndërkohë që qeveria e Kosovës do të duhej të kishte vendosur kontakte tashmë me të gjitha qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, me qeverinë amerikane dhe bashkë me ta t’i bashkërendojë të gjithë hapat. Pra ne kemi ardhur në situatën ku duhet t’u gëzohemi letrave apo nismave të pjesshme të Parlamentit Evropian, të senatit amerikan apo kongresit, do të thotë jemi kthyer diku në vitet ‘90”, tha ai.

Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut më 16 qershor 2023.

Sipas pajtimit që u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të martën në mbrëmje në një intervistë në Beograd se letra e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë nuk është e drejtuar kundër tij por kundër Serbisë.

Vuçiç në krah të Dodik, kundër sanksioneve të SHBA-së ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska dhe Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ai i entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik. Banja Lluka, 4 gusht 2023.

Në 4 gusht Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Serbisë nuk ekzistojnë, se ato nuk do të sjellin asnjë të mirë dhe vetëm do t’i dëmtojnë marrëdhëniet e ndërsjella.

“Mjafton të shohim se ndaj kujt janë sanksionet për ta parë se sa të paanshme janë. Ne jemi një vend i vogël, veçanërisht në krahasim me SHBA-në. Për ne, ato sanksione nuk ekzistojnë dhe ne nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me ata që vendosën ato sanksione kundër pjesëtarëve të kombit tonë. Për ne, ky është i vetmi vendim i mundshëm, i ndershëm por i vështirë”, tha Vuçiç më 4 gusht në Banja Lluka të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ai tha se gjatë dy ditëve të fundit, përveç sanksioneve, ka diskutuar me udhëheqjen e Republikës Sërpska (RS) dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, “për gjithçka që ndodhi dhe mund të ndodhë në Kosovë”.

Gjatë këtij viti, Serbia dhe entiteti Republika Sërpska po e festojnë “Ditën e Përkujtimit të Viktimave dhe Serbëve të Mërguar në aksionin ‘Stuhia’” në Prijedor, që çoi zyrtarët më të lartë të Serbisë në Banja Luka.

Integriteti territorial i Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Republikës Sërpska

Gjatë një konference për media me presidentin e RS-së, Millorad Dodikun, Vuçiçi tha se Serbia e “respekton plotësisht sovranitetin dhe integritetin e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe integritetin e brendshëm të Bosnje dhe Hercegovinës, e cila përbëhet nga dy entitete dhe tre popuj”.

“Ne presim që Bosnja dhe Hercegovina ta respektojë integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk ndodhi gjatë votimit në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiçi, duke u bërë thirrje “miqve në Bosnje dhe Hercegovinë ta respektojnë këtë”.

Në fund të prillit të vitit 2023, përfaqësuesi i Bosnje dhe Hercegovinës në Këshillin e Evropës abstenoi gjatë votimit për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Duke folur për hapjen e Konsullatës në Bijeljina, kundër së cilës Denis Beqiroviq, një anëtar boshnjak i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, votoi më 31 korrik, Vuçiç tha se nuk kishte asgjë kundër hapjes së disa konsullatave të tjera të Bosnje dhe Hercegovinës në Serbi dhe se për të “asgjë që vjen nga Sarajeva nuk është armiqësore dhe do të doja që ata të mendojnë njëjtë për iniciativat e tilla nga Serbia në Sarajevë”.

Ai tha se është i gatshëm të takohet me të gjithë në Sarajevë “nëse duan të bisedojnë” dhe tha se “të gjithë nga Sarajeva janë të mirëpritur në Beograd”.

“Nuk e kam përmendur kurrë ‘Botën Serbe’. Mediat gjermane njoftuan një ditë më parë se unë po ëndërroja për të. Unë kurrë nuk e kam thënë këtë, kështu që tani ata kanë filluar të hyjnë në ëndrrat e mia”, tha Vuçiç.

Ai pyeti nëse është e mundur që “vetëm Republika Sërpska të jetë fajtore për gjithçka në Bosnje dhe Hercegovinë për faktorin e huaj” dhe “që gjithçka në Kosovë është për fajin e serbëve”.

Dodik, minuesi i Marrëveshjes së Dejtonit

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Dodik, duke folur në konferencën për media pas Vuçiçit, tha se anëtari i presidencës, Denis Beqiroviq, “është vetëm një e treta e Bosnje dhe Hercegovinës”.

“Disa nga Sarajeva mendojnë se po ‘pyeten’ për të gjithë vendin. Nëse nuk i përfshin të tri kombet, atëherë nuk është Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Dodiku.

Dodiku shtoi se qëllimi i tyre është që lidhjet mes Republikës Sërpska dhe Serbisë të jenë më intensive dhe se “Serbia dhe Republika Sërpska do ta mbrojnë Republikën Sërpska së bashku”.

“Bashkëpunimi ynë nuk ka për qëllim askënd tjetër apo një palë të tretë në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Dodiku.

Në 31 korrik Shtetet e Bashkuara vendosën  sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.

Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Vladimir Putin dhe Millorad Dodik në Moskë, shtator 2022.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Vetë Dodik më herë është futur në listën e sanksioneve amerikane. Më 5 janar të vitit 2022, SHBA-ja e akuzoi atë se drejtëpërdretjë apo në mënyrë të tërthortë kishte shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari e kishte akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë