Tensionet dhe përplasje po ndodhin edhe në Bashkinë e Matit. Në Burrel ka pasur tensione pas përplasjes mes qytetarëve dhe policisë.
Edhe në këtë Bashkinë e Matit kërkohet lirimi i ambienteve zgjedhore, duke zbatuar në këtë mënyrë dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve.
Mësohet se ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ nr. 16 që ndodhet në Pallatin e Sportit.
Mbështetës të PD kanë tentuar të futen në KZAZ për të marrë materialet zgjedhore, ndërkohë Policia e Rendit në mbrojtje të KZAZ-së duke hedhur gaz lotsjellës.
Përplasja ka qenë fizike, ku janë përdorur edhe shkopinj dhe sende të tjera të forta. Bëhet me dije se ka pasur të plagosur si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e policisë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Burrelit.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, zyrtarët e bashkisë kanë ndërhyrë dhe kanë nxjerrë jashtë materialet zgjedhore, duke zbatuar kështu dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Përplasje janë shënuar edhe në Pogradec midis militantëve të PD-së që kanë tentuar që të futen në ambientet e KZAZ-së dhe drejtuesve të policisë.
Klevis Balliu, i cili ndodhet në Pogradec, ndërsa ka deklaruar se zgjedhje më 30b qershor nuk ka.
“Kërkojmë të largohen materialet nga KZAZ-ja. Është shkelje ligji. Nuk ka zgjedhje deri në vendosjen e një date tjetër për zgjedhjet. Nuk është legjitime”, deklaroi ai.
Edhe në Kukës, mbështetës të PD-së kanë kërkuar të hyjnë në KZAZ numër 11 e cila është vendosur në ambientet e një palestre për të larguar materialet zgjedhore në mbështetje të dekretit të presidentit, ndërkohë që Policia e Shtetit dhe FNSH kanë ndërhyrë për t’i ndaluar.
Edhe në këtë bashki ka pasur përplasje mes policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit.
Militantët kanë thyer edhe xhamat e palestrës. Ka pasur përplasje mes tyre dhe forcave të rendit, por situata më e rëndë është bërë kur militantët kanë marrë një kamionçinë dhe me të kanë kërcënuar të hapin me dhunë derën e KZAZ-së.
Policia, nga ana e saj ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e PD-së.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehi i ka kërkuar policisë të mbështesë bashkinë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.
“Nuk mund të ketë zgjedhje pa dekret të presidentit dhe çdo veprimtari që po zhvillohet pas dekretit është e paligjshme. Kam kërkuar lirimin e ambienteve. Kërkoj nga policia zbatimin e ligjit dhe mbështetjen e bashkisë. U bëj thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje”, është shprehur kryetari i bashkisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.