Politike

Përplasja Thaçi-Berisha dhe debati për kufijtë

Në historinë e shkurtër prej 10 vitesh pavarësi, asnjëherë më parë nuk është folur kaq shumë për ndryshim të kufijve të Kosovës dhe për më tepër nga njerëz që deri para pak muajsh rreshtoheshin të bindur kundër kësaj ideje dhe garantonin “sovranitetin dhe paprekshmërinë territoriale të vendit”.

Brenda pak javëve, nga një partizan i idesë së mosndryshimit të kufijve, Hashim Thaçi është shndërruar në promotorin kryesor të rishikimit të hartës së vendit. Ai përdor termin “korrigjim” dhe ka lënë pas edhe homologun serb, Aleksandër Vuçiç përsa i përket intensitetit të deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale në mbështetje të kësaj ideje.

Pika e ndryshimit të madh duket se ka qenë takimi i fundit Thaçi-Vuçiç, mbajtur në mes të korrikut në Bruksel. Ishte takimi më i shkurtër për nga kohëzgjatja i këtij lloji në gjashtë vite dialog mes dy vendeve, por jo më i lehti. Presidenti i Kosovës paralajmëronte për një ngërç dhe bisedime të vështira.

“Kam frikë që nëse nuk arrijmë një marrëveshje përfundimtare të dyja vendet do të humbasin shumë. BE nuk do të pranojë as Kosovën dhe as Serbinë përsa kohë ne kemi probleme të hapura mes nesh. Mund të them që ka qenë një nga takimet më të vështira që kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit. Serbia jeton ende me mentalitetin e së kaluaarës dhe mendon se Kosova është ende pjesë e saj. Presidenti Vuçiç dhe qytetarët serbë mashtrohen, gabohen rëndë. Serbia duhet të kuptojë që Kosova është vend sovran”, deklaroi Presidenti i Kosovës.

Thaçi nuk dha më shumë detaje se çfarë ndodhur mes tij e Vuçiçit, por deklaratat mund të interpretohen si rikthim në pikën zero të dialogut dhe rivendosje në pikëpyetje të marrëveshjeve të arritura deri më tani në aksin Prishtinë-Beograd.

Pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi u shpreh optimist.

“Përkushtimi ynë për të ardhmen është serioz dhe i përgjegjshëm ndaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare. Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë shumë vështirë, por ne duhet të arrijmë në një marrëveshje përfundimtare që do të jetë në dobi të të dyja vendeve”, tha ai.

“Drita” në fund të tunelit, të paktën nga deklaratat e bëra kohët e fundit, për Hashim Thaçin duket se është ndryshimi i kufijve dhe idenë e tij e përforcoi më shumë përmes një statusi ku i kundërpërgjigjej ish-Kryeministrit Sali Berisha. Berisha, pas një takimi me një delegacion të Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, të drejtuar nga Ragmi Mustafa shprehu qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

“Kosova është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktualë ndërkombëtar ndaj Serbia nuk ka asnjë të drejtë dhe nuk duhet t’i njihet asnjë e drejtë për të pretenduar qoftë edhe një pëllëmbë toke në territorin e Kosovës. Të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës, në një mënyrë, apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës. Në rajonin tonë, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbët në Mitrovicë do të minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin”, shkruan ndër të tjera Sali Berisha.

Takim me delegacionin e Partise Demokratike Shqiptare te Lugines se Presheves, te kryesuar nga zoti Ragmi Mustafa!…

Gepostet von Sali Berisha am Samstag, 4. August 2018

Përgjigjia nga Thaçi nuk vonoi dhe ajo ishte e ashpër. Me një gjuhë të fortë, Presidenti i Kosovës i kujtoi vitet e luftës dhe periudhën kur Sali Berisha ishte President i Shqipërisë, 1992-1997.

“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike, veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhet këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste. Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, deklaroi Presidenti i Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale.

Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër…

Gepostet von Hashim Thaçi am Samstag, 4. August 2018

E nuk është çudi që nga përplasja mes shqiptarëve të mos përfitojnë serbët. Afati për ngritjen e bashkësisë së Komunave me shumicë serbe përfundoi dhe në Mitrovicë, udhëheqësit vendas kërcënojnë me shpallje autonomie, ndërsa në Beograd, Aleksandër Vuçiç shfaqet “i moderuar” në sy të ndërkombëtarëve.

“U lutem qytetarëve serbë që të mos ndërmarrin asnjë vepri, sepse këtë mund ta shfrytëzonin shqiptarë, ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre”, deklaroi ai përmes një letre të hapur.

Po përse e gjithë kjo histori po diskutohet tani, kur në vjeshtë pritet ngritja e Gjykatës Speciale në Prishtinë, kur në Maqedoni në shtator shqiptarët e maqedonasit do të votojnë për referendumin e çështjes së emrit, e kur Tirana e Athina janë në fazën finale të diskutimeve për çështjen e kufirit detar? Pra, përse bëhet gjithë ky debat i ndezur në një moment vendimtar për shqiptarët në të gjithë rajonin? 

Janë të shumtë ata që ideja e shkëmbimit të territorve nuk i ka zënë të papërgatitur, por e sigurtë është që nuk e prisnin që për të të flitej më shumë në Prishtinë se Beograd.

Ndoshta në fund nuk do të ketë “korrigjim” kufijsh, por e sigurtë është që pasoja e parë që prodhoi ky debat është përçarja e shqiptarëve, në pro dhe kundër ndryshimit të kufijve, ndërkohë që në Beograd fërkohen duart.

“Të shpëtojmë ç’të mundim dhe të humbasim sa më pak. Për këtë po luftojmë kur bëhet fjalë për Kosovën”, deklaronte disa ditë më parë për Pink TV, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Objektivi i serbëve është i qartë; marrja e veriut të Kosovës dhe lëshimi i Luginës së Preshevës. Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta dhe nuk bëhet fjalë vetëm për banorët e dy zonave, por edhe për pasuritë nëntokësore dhe ujore.

Në veri të Kosovës ndodhet miniera e Trepçës, më e pasura në Europë për zink e argjend dhe që strehon ende mbi 60 mln tonë zehe. Por, ndodhet gjithashtu edhe Liqeni i Ujmanit (Gazivodës), që ndodhet në komunën serbe të Zubin Potokut. Liqeni ka një rëndësi jetike, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për pjesë të tjera të Kosovës.

“Gazivoda është pjesë e Kosovës. Po diskutojmë me serbët për plot gjëra, por jo për fatin e Gazivodës, apo këtyre resurseve. Gjithë zona e liqenit është 20 për qind në Serbi e 80 për qind në territorin e Zubin Potokut, në veri të Kosovës. Nga Gazivoda varet direkt për prodhim të energjisë elektrike dhe ujë të pijshëm në Prishtinë”, deklaronte në maj e qershor, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Por, po kaq e interesuar për Gazivodën është edhe Serbia. Në vizitën e parë në veri të Kosovës, në atë kohë në cilësinë e Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç fliste me bindje.

“Nuk firmos asnjë marrëveshje që i jep Kosovës liqenin e Gazivodës”, deklaronte ai.

Qëndrimet diametralisht të kundërta për këtë temë, por edhe paralajmërimet e udhëheqësve rajonalë serbë në veri të Kosovës për shpalljen e autonomisë kanë vënë në lëvizje forcat e KFOR-it. Të shtunën, mediat kosovare raportuan për një zhvendosje të trupave amerikane në Liqenin e Ujmanit me detyrën e mbrojtjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë