Kreu i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla njoftoi se ka paditur për shpifje deputetin e PD-së, Ervin Salianji. Balla ka paralajmëruar gjithashtu se do të padisë Luçiano Boçin, pas deklaratës së sotme të bërë nga deputeti i PD, duke u shprehur se këto shpifje që drejtohen në emër të tij, do të zgjidhen në gjyq. “Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga aktorët e SHQUP-it, e që kazani politik e mediatik u jep zë pa asnjë verifikim edhe kur vërtetohen si të rreme, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë”, thotë Balla.

Akuzat për të cilat reagoi sot Balla, erdhën një ditë më parë nga Partia Demokratike. Deputeti demokrat, Ervin Salianji në një dalje për mediat nga selia blu nuk foli për “babalen”, por ka akuzuar Ballën për lidhje me trafikantin e drogës, Edmond Bego.
Salianji, tha se Balla ka udhëtuar 25 herë me Edmond Begon, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
“Sot Partia Demokratike do të paraqesë fakte të tjera që tregojnë lidhjen e fortë të numrit dy të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me trafikantin e rrezikshëm të drogës. Është fakt që sipas të dhënave të siguruara nëpërmjet sistemit TIMS, që regjistron hyrjet dhe daljet e qytetarëve në pikat kufitare të Shqipëris딑 tha ai. Sipas PD, rezulton se:
1) Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit mbi 25 herë me trafikantin e drogës, Edmond Bego.
2) Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bego, shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN.
3) Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bego me të njëjtin avion, ku destinacioni më kryesor ka qenë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi. Vetëm në Vjenë kanë udhëtuar bashkë plot 14 herë”, u shpreh Salianji.
Salianji gjithashtu është shprehur se shqiptarët duhet të dinë se Balla ka udhëtuar 18 herë me CHARTER në një vlerë 600 mijë euro.
“Është fakt që Taulanti nga Librazhdi, gjatë historikut të udhëtimeve, gjatë periudhës që qeverisë Edi Rama, ka përdorur plot 18 herë CHARTER-in për udhëtime jashtë Shqipërisë, ku nuk mungojnë edhe udhëtime me CHARTER nën shoqërinë e trafikantit të drogës Edmond Bego. Shqiptarët duhet të dinë sot se një udhëtim me CHARTER, kushton minimalisht 30 mijë euro. Pra janë minimalisht 600 mijë euro udhëtime me CHARTER, vetëm për 18 dalje jashtë vendit të numrit dy të Partisë Socialiste, Taulantit nga Librazhdi”, tha ndër të tjera Salianji.
Pas akuzave nga Salianji ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetarit të grupit të PS, Taulant Balla. Përmes një postimi në “Facebook”, Balla paralajmëron një tjetër padi të hënën në gjykatë, duke i konsideruar shpifje gjithë sa tha Salianji në deklarate për lidhjet e tij me trafikantin e drogës, Edmond Bego.
“Lulzim mjaft e shpërdorove Sali-anjin me shpifje, për udhëtime 18 herë me chartera. Informacioni është në Albcontrol dhe mund ta merrni. Pse nuk bëni kallzim në Prokurori? Megjithatë faleminderit që po vijon te kontribuosh për Fondin e Edukimit. Të hënën padia në gjykatë!”, shkruan Balla në “Facebook”.

Bazuar te nisma e re e PS, paketa antishpifje, paratë që socialistët do të fitojnë nga gjyqet e shpifjes, do të grumbullohen në Partinë Socialiste ku do të ngrihet Departamenti Antishpifje, i cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës ligjore kundër Shpifjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.