Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën plenare më 25 mars për të shqyrtuar padinë e ngritur nga Kryeministri Edi Rama ndaj Presidentit, Ilir Meta në lidhje me emërimet e ministrave.
Padia pasoi përplasjen mes Ilir Metës dhe Edi Ramës për emrin e Gent Cakajt. Kryeministri i propozoi Presidentit emërimin e Cakajt si ministër i Jashtëm pas shkarkimit të Ditmir Bushatit. Por, Meta refuzoi dekretimin e tij duke deklaruar se nuk plotësonte kushtet.
Rama e zgjidhi ngërçin duke u dekretuar vetë si ministër i Jashtëm dhe më pas duke i deleguar kompetencat Gent Cakajt, që ushtroi detyrën e ministrit të Jashtëm deri para largimit dhe emërimit të Olta Xhaçkës në këtë post.
Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Rama kërkon interpretimin e nenit 98 pika 1 të Kushtetutës, që thotë se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.