Politike

Përplasja në Krime, Ukraina i kërkon ndihmë NATO-s

Edhe pse u cilësua fillimisht si një incident i përmasave të vogla, përplasja ushtarake mes Rusisë dhe Ukrainës në Krime, ka bërë që Kievi zyrtar të kërkojë ndihmë të menjëhershme nga NATO.

Të enjten, presidenti ukrainas Petro Poroshenko i ka kërkuar organizatës veri-atlantike që të dërgojë anije ushtarake në Detin e Azovit, ku ndodhi edhe konfrontimi detar me Rusinë.

Në një intervistë me gazetën gjermane “Bild”, ai deklaroi se shpresonte që NATO të zhvendoste anijet jo vetëm për të ndihmuar Ukrainën por edhe për të ofruar siguri. Sipas tij, Vladimir Putin nuk donte "asgjë më pak se të zaptonte detin.”

"Gjermania është një nga aleatët tanë më të ngushtë dhe ne shpresojmë që shtetet brenda NATO-s të jenë gatshme të zhvendosin anijet detare në Detin e Azovit, në mënyrë që të ndihmojnë Ukrainën dhe të ofrojnë siguri", tha ai.

"Ne nuk mund ta pranojmë këtë politikë agresive të Rusisë. Në fillim ishte Krimea, pastaj Ukraina lindore dhe tani dëshiron Detin Azov. Çfarë do të bëjë Putini nëse nuk e ndalojmë?", deklaroi presidenti. 

Presidenti Poroshenko në veri të Ukrainës

Të hënën, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të lironte anijet dhe marinarët e Ukrainës dhe tha se Moska duhet të kuptojë "pasojat e veprimeve të saj". Ai tha se blloku do të vazhdojë të ofrojë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën, e cila është një vend partner i NATO-s.

Mes përshkallëzimit të situatës, Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi zotin Poroshenko për krijimin e "provokimit" detar për të joshur votuesit, përpara zgjedhjeve të vitit 2019.

Aktivizimi i ligjit të luftës nga e ana Ukrainës duket se i ka “hedhur benzinë” tensioneve mes Moskës dhe Kievit. Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar udhëheqësin e Ukrainës, Petro Poroshenko, se po përpiqet të rrisë popullaritetin e tij përpara zgjedhjeve të vitit 2019 duke përfituar nga konfrontim detar në Krime.

“Është pa dyshim provokative”, tha presidenti rus, duke shtuar se incidenti në portin e Krimesë ishte organizuar nga autoritetet e Ukrainës.

Putin thotë se me vendimin për të futur në fuqi ligjin e luftës, Kievi mund të çojë në acarim të tensioneve në Ukrainën lindore “Poroshenko ishte duke humbur pikë në sondazhe”, tha ai. “Vendimi i presidentit ukrainas për të aktivizuar ligjin ushtarak nuk kishte ndodhur në kulmin e konfliktit me separatistët pro-rusë në vitin 2014.”

Krimeja

Reagimi i tij erdhi pasi Rusia ka fajësuar fqinjin e saj, Ukrainën për acarimin e tensioneve në këtë rajon të trazuar. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov foli sot në Paris ku hodhi poshtë idenë e ndërmjetësimit ndërkombëtar për të zbutur situatën, të sugjeruar nga ministri i jashtëm gjerman.

Presidentit ukrainas deklaroi nën në një intervistë televizive se mendonte se vendi ishte nën kërcënimin e luftës në me Rusinë. “Si president dhe si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, unë përmbusha detyrën kushtetuese dhe pak orë më parë, me dekret, propozova që në të gjithë Ukrainën të vendoset ligji i luftës duke filluar nga 28 nëntori në 9 të mëngjesit,” tha Presidenti Petro Poroshenko.

Është hera e parë që Kievi ka marrë masa të tilla që kur shpërtheu konflikti me Rusinë lidhur me Krimenë dhe pjesën lindore të Ukrainës në 2014.

Aleatët perëndimorë kanë reaguar duke dënuar incidentin e fundit në Detin e Zi, kur të dielën Rusia qëlloi dhe më pas mori nën kontroll tre anije ukrainase dhe ekuipazhin e tyre, ndërkohë që lundronin nga Porti i Odesës në Detin e Zi, drejt Portit të Mariupolit në Detin Azov.

Të paktën gjashtë marinarë ukrainas u lënduan, ndërkohë që anijet dhe ekuipazhet e tyre vazhdojnë të mbahen nga rusët. Ukraina ka kërkuar kthimin e tyre të menjëhershëm. 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se po shqyrton anulimin e takimit të tij të planifikuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në samitin e G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, për shkak të arrestimit të dhjetëra marinarëve ukrainas nga Rusia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë