Mjedis

Përmbytjet ekstreme nuk e zgjidhin problemin e thatësirës në Europë

Thatësira e gjatë e dimrit në Europë ka krijuar një tokë të thatë dhe të papërshkueshme që nuk është më në gjendje të thithë siç duhet ujin e reshjeve.

Vala e jashtëzakonshme e reshjeve që ka goditur Europën do të bëjë pak ose aspak për të zvogëluar ndikimin e një vere të thatë në të gjithë Europën.

Javët e fundit, përmbytje të mëdha goditën veçanërisht Kroacinë, Serbinë dhe Italinë. Por ekspertët thonë se sasitë e mëdha të ujit nuk kanë gjasa ta bëjnë tokën më pjellore.

“Megjithëse ndjehet se ka pasur shumë reshje në këto rajone, në fakt mund të mos ndikojnë në thatësirën që kemi parë”, thotë Samantha Burgess eksperte mjedisi.

Kjo sepse, sipas saj, i gjithë uji po rrjedh, pa pasur mundësinë të depërtojë në tokë.

“Në një situatë thatësire, nuk ka lagështi të tokës në sipërfaqen e sipërme, kështu që toka është shumë e fortë. Dhe kur toka është shumë e fortë, shiu, në vend që të rimbushë rezervuarët e ujit dhe lumenjtë, thjesht rrjedh nga sipërfaqja e tokës dhe krijon edhe përmbytje”.

Ekspertët thonë se gjatë dekadës së fundit koncepti i thatësirës ka ndryshuar dhe tani thatësirat po krijohen më shpejt, duke e forcuar tokën më shumë dhe më shpejt.

Kjo është arsyeja pse ne kemi ndikime më të mëdha në afat të shkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë