Bota

Përmbytje nga moti i keq në Nju Jork, shpallet gjendja e emergjencës

Gazeta Si – Moti i keq godet Nju Jorkun. Zona më e goditur është ajo e Bruklin, ku në vetëm 3 orë kanë rënë reshje shiu që zakonisht regjistrohen për një muaj. Pezullohet gjysma e linjave të metrove.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka deklaruar gjendjen e emergjencës për qytetin e Nju Jorkut, për shkak të shirave të fortë dhe të dendur që kanë goditur zonën, duke përmbytur rrugët dhe stacionet e metrove. Shërbimi meteorologjik kombëtar ka bërë të ditur se situata është "e rrezikshme".

Fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se niveli i ujit në rrugë ka kaluar rrotat e makinave. Gjysma e linjave të metrove janë pezulluar, ndërsa një terminal i aeroportit është mbyllur nga shiu.

‘Metropolitan Transportation Authority’, që administron linjat hekurudhore të metropolitanës ka njoftuar rezidentët që të qëndrojnë në shtëpi. Janë paralajmëruar përmbytje edhe në zonat përreth, si Hoboken, Nju Xhersi. Kryebashkiaku Erik Adams është kritikuar për faktin se nuk ka dhënë alarmin dhe ka lënë shkollat hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë