Ka ndodhur

Përmbytja në Shkodër, Bashkia kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Situata e përmbytjeve në Shkodër vijon të mbetet problematike.

Shiu i dendur që ka rënë gjatë natës, ka bërë që situata të jetë e rëndë, kryesisht në zonën e Dajçit dhe Obotit.

Bashkia e Shkodrës thotë se sipërfaqja nën ujë është rritur me 400 hektarë të tjerë, teksa 3400 hektarë tokë bujqësore është nën pushtetin e ujit.

Rruga Murriqan-Goricë është e përmbytur, ndërsa në Dajç niveli i ujit është rritur dhe po rrezikon edhe banesat.

Ndërkohë që rruga e Obotit nuk kalohet as nga mjetet e ushtrisë.

Nisur nga situata që ndodhet, Bashkia Shkodër kërkon sërish shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç.

“Bashkia Shkodër në kushtet e ndodhura, në referencë të Ligjit Nr.45/2019 “Për Mbrojtjen Civile ”, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, për Nj.A. Ana e Malit dhe Dajç.

Kërkohet që nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë të ndërhyet për marrjen e masave për pastrimin e “Përroit të kufirit” Muriqan në Nj.A Ana e Malit.

Kërkohet mbështetje me bazë ushqimore për gjënë e gjallë (koncentrat) për NJ.A. Ana e Malit , Dajç dhe Rrethina për një sasi 500 ton”, thuhet në njoftimin e bashkisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë