Bota

Përmbyset gomonia me emigrantë pranë brigjeve të Libisë, të paktën 61 të vdekur

Gazeta Si - Një gomone me 86 emigrantë në bord është fundosur në brigjet e Libisë. Lajmi është bërë e ditur nga IOM, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. Mediat italiane raportojnë se janë 61 persona të mbytur, ndërsa 25 të tjerë u shpëtuan dhe u dërguan në Libi.

Gomonia u nis rreth dy ditë më parë nga Zuara, një qytet në bregdetin libian që ndodhet 120 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tripoli.

“Mbi 2250 njerëz kanë humbur jetën në Mesdheun Qendror këtë vit, një numër dramatik që për fat të keq tregon se nuk po bëhet mjaftueshëm për të shpëtuar jetë në det”, tha Flavio di Giacomo, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Më pas, zyra libiane e IOM-it konfirmoi se të zhdukurit ishin mbytur të gjithë. “Mesdheu qendror vazhdon të jetë një nga rrugët më të rrezikshme migratore në botë”, shkruan ai në një shënim në rrjetet sociale.

“Dyshohet se ata kanë vdekur për shkak të dallgëve të forta” që zhytën varkën e tyre, sipas të njëjtit burim.

Shumica janë shtetas të Nigerisë, Gambais dhe vendeve të tjera afrikane dhe në mesin e viktimave "ka fëmijë dhe gra".

25 të mbijetuarit e ndihmuar nga IOM dhe "në gjendje të mirë shëndetësore" u shpëtuan dhe u transferuan në një qendër paraburgimi në Tariq Al Sekka, pranë Tripolit.

Libia është një nga pikat kryesore prej nga nisen emigrantët në përpjekje për të kaluar Mesdheun për të mbërritur në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë