Politike

Përgjimet, Hajdari: Skenar si me Gruevskin, dolën kur u përfol arrestimi i Bashës


Deputetja demokrate Rudina Hajdari i cilëson publikimin e përgjimeve të gazetës gjermane “Bild” si një ndryshim të strategjisë, ku sipas saj po përdoren si skenar për të realizuar trazira si në Maqedoninë e Veriut për të rrëzuar qeverinë, ashtu siç ndodhi atje me qeverinë e Gruevskit.
Nëpërmjet një status në Facebook, deputetja thekson se “garancinë, që një model i këtij lloji mund të ndodhë, e dha një gazetë gjermane që mesa duket ka edhe mbështetjen e një pjese të Budenstagut Gjerman për një përmbysje të tillë, po pa marrë në konsideratë hetimet e tjera që po ndodhin në Prokurorinë e Tiranës”.
Në këtë qëndrimin të sajin, deputetja e cilëson si jo të rastësishme publikimin e përgjimeve në ditën kur prokuroria kishte thirrur si të pandehur liderin e PD-së, Lulzim Basha.
“Ajo që është e qartë, përveç faktit të mungesës së shtetit të së drejtës, është se asgjë nuk është rastësi. Dalja e përgjimeve pikërisht në një datë kur Kryetari i PD-së shmangu paraqitjen në Prokurori, me fjalën se do ta arrestonin, ka ndezur gjendjen aktuale dhe pritet të ketë akoma më shumë ngjarje në ditët në vijim. Ajo që është e qartë nga e gjithë kjo histori është se të gjitha palët janë të zhytura në probleme të mëdha me ligjin dhe me shtetin e së drejtës. Të gjitha palët e kanë humbur legjitimitetin e tyre përpara popullit si përfaqësues të denjë për të mbrojtur interesat më minimale publike. Të gjitha palët janë të gatshme të hedhin Shqipërinë në erë ashtu siç po ndodh me negociatat me Bashkimin Evropian në mënyrë që asnjë palë të humbin influencën dhe pushtetin e tyre si brenda dhe jashtë vendit”, thekson Hajdari.
Sa i përket dosjes së bujshme të përgjimeve të bandës së Durrësit dhe të Dibrës, deputetja i cilëson si shembuj të zvarritjeve të njëpasnjëshme, procedime që kanë rreth 3 vite të regjistruara si procedime penale dhe akoma nuk ekziston traskriptimi i CD ndaj përgjimeve që janë bërë e jo më të flitet për dërgimin e tyre në gjyq.
“Në të dyja këto procedime e sa e sa të tjera, të lidhura drejtpërsëdrejti me krimin e lartë shtetëror, jo vetëm që kanë mbetur të cunguara lidhur me traskriptimin e CD, por deri më sot janë të pashoqëruara me veprime të tjera hetimore, për shembull, ndjekje a kapje në flagrancë të personave të vënë nën përgjim. Theksohet fakti që vetë përgjimi sipas neneve përkatëse të Procedurës Penale nuk është gjë tjetër veç një indicie, e cila duhet të shoqërohet me veprime të tjera hetimore, të rëndësishme dhe konkrete që të merret si provë në fajësinë apo jo të një individi”, thekson Hajdari.

Statusi i deputetes Hajdari


Ndërsa ka vërejtje edhe për punën e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme. “Pas një anulimi të papritur të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku për të raportuar mbi veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2018, presim që këtë të enjte Prokurorja do të paraqitet për të raportuar përpara Parlamentit me datë 20 qershor 2019. Pyetja themelore është kjo: çfarë do të ndodhë me këto procedime? E pra, kjo është njëra pikë e rëndësishme që vetë Prokurorja e Përgjithshme duhet të analizojë dhe të argumentojë para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të dalë mbi palët dhe për të garantuar shtetin e së drejtës, si një prokurore që ka kaluar vettingun”, thekson Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë