Rend dhe Ligj

Përgjimet, grupi i Shijakut ndërhyu tek Arben Çuko

Arben Çuko përfundoi në pranga rastësisht. Ai u vendos nën përgjime pasi emri i tij doli gjatë përgjimeve që Prokuroria dhe Policia kishin nisur ndaj grupit kriminal të Shijakut, që akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.

Sinjalizimin e parë, Prokuroria e ka marrë në kohën kur Denis Llaftiu, nga Shijaku është takuar me të burgosurin Olsi Karagjozi, që po vuante dënimin me 22 vite heqje lirie si vrasës me pagesë. Në këtë takim, Karagjozi i ka kërkuar që të ndërhyjë me lidhjet e tij që ta transferojë në një burg tjetër.

Pas marrjes së porosisë, Llaftiu është vënë në lëvizje. Ai ka siguruar numrin e Qerim Mushës, shoferi i Arben Çukos, në atë kohë drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve dhe e ka kontaktuar. Musha, thotë Prokuroria, shërbente si sekser për Arben Çukon dhe ai ka rënë dakord me Denis Llaftiun, kundrejt 3 mijë eurove në dorë dhe një automjeti të dhuruar.

I vënë në dijeni për “paktin” e arritur, i dënuari Olsi Karagjozi ka bërë një kërkesë me shkrim për t’u transferuar. Kërkesën ja ka dorëzuar punonjësi të policisë, Artur Balla dhe ky i fundit ja ka dhënë Denis Llaftiut. Që kërkesa të mbërrinte pa vonesa në tryezën e Arben Çukos, ashtu siç ishte rënë dakord, Llaftiu ja dorëzon shoferit të ish-kreut të Burgjeve.

Por, transferimi ka kërkuar kohën e vet dhe nga përgjimet e Prokurorisë provohet vonesa nga një bisedë telefonike mes kreut të burgut të Burrelit me në atë kohë eprorin e tij, Arben Çuko.

Biseda e përgjuar:

Drejtori i burgut të Burrelit: Alo, drejtor përshëndetje!
Arben Çuko: Përshëndetje!
Drejtori i burgut të Burrelit: Fatjoni jam.
Arben Çuko: Kush Fatjon o burrë?
Drejtori i burgut të Burrelit: Fatjoni jam, drejtori Burrelit.
Arben Çuko: Hë Fatjon, më thuaj.
Drejtori i burgut të Burrelit: Nuk kemi ndonjë problem, situata e përgjithshme është e qetë, a mundet të vi nesër të bisedoj për nja dy çështje të vogla?
Arben Çuko: Nuk e di a mi thua dot në telefon…?
Drejtori i Burrelit: T'i them edhe në telefon, por doja të vija të takoja e të uroja. Mirë drejtor doja të flisja edhe për këtë, për një transferim të një të paraburgosuri që të kishim bisedu.
Arben Çuko: Ça është?
Drejtori i Burrelit: Është ky Karagjozi.
Arben Çuko: Me këtë lojë. Ata që më kanë ndërhyrë mua më duket se më kanë bërë pisllëqe.

Nga biseda kuptohet qartë që Arben Çuko dyshonte tek sinqeriteti i atyre që kishin kërkuar transferimin e Olsi Karagjozit dhe i trembej ndonjë “pisllëku”.

Vonesa e transferimit bëri që Denis Llaftiu të kërkonte njëherë rikthimin mbrapsht të rryshfetit të paguar dhe më vonë ndihmën e Astrit Avdylit. E duket se pas ndërhyrjes së Avdylit, Arben Çuko ka vepruar duke e transferuar atë në Burgun e Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë