Kosova

Përfundon takimi në Bruksel. Vuçiç: Bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses

Nga Gazeta 'Si'-Ka përfunduar pa sukses në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç, pas takimit tha se bisedimet me Kurtin, përfunduan pa sukses "në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve".

"Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar", u tha Vuçiç gazetarëve.

I pyetur nga gazetarë se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe - "të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo".

"Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj", shtoi ai.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel - për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë