Kosova

‘Kurti refuzoi propozimin europian’/Çfarë u diskutua në takimin mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel?

Nga Gazeta ‘Si’- Në takimin bilateral që u zhvillua në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç nuk u arrit asnjë kompromis.

Pas përfundimit të takimit që zgjati rreth dy orë, Vuçiç tha për gazetarët se Kurti i shmanget themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe bisedimet rezultuan pa sukses pasi Kurti, sipas tij, "e refuzoi propozimin europian".

‘I shqetësuar për pozitën e serbëve në Kosovë’

Ai shtoi se në takim u diskutua edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

“Nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, unë do të jap gjithçka nga vetja  që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor”, tha Vuçiç ndërsa shtoi se nuk mund të japë premtime në emër të tij.

Mandej ai u shpreh se ishte i shqetësuar pas atyre që kishte dëgjuar sot.

"Para së gjithash, jam i shqetësuar. Jam i kënaqur që Serbia ka treguar konstruktivitetin e saj, përgjegjësinë dhe vullnetin për t'iu qasur zgjidhjeve të kompromisit por jam i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot", tha Vuçiç i cili nuk specifikoi më shumë ndërsa shtoi se pret reagimin e BE-së.

Takimi mes tyre erdhi pas takimeve të ndara që ata zhvilluan me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në fotot e publikuara gjatë tryezës së përbashkët u vu re se ndryshe nga takimi i dy majit ku ata u pritën “me drekë” , në një tavolinë të mbushur me hamburgerë të shoqëruar me coca-cola, kësaj here tryeza dukej më e ftohtë, me vetëm disa shishe qelqi uji.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel - për herë të parë pas më shumë se katër muajsh - në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë