Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel. Diskutohet Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve

Nga Gazeta 'Si'- Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot(14 shtator) në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka njoftuar se takimet nisën nga ora 09:00.

Fillimisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak po presin njërin përfaqësues, pastaj tjetrin.

Takimi trepalësh do të mbahet më vonë gjatë ditës dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parashikon, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiç , sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t'i marrin seriozisht obligimet e tyre.

Përballje në kohë tensionesh

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.

Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë - nën përcjelljen e policisë - në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme - më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.

Duke e bërë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar, Bashkimi Evropian ka kërkuar prej saj që t’i ulë tensionet duke i pezulluar operacionet policore në veri, duke i zhvendosur kryetarët e komunave në zyra alternative dhe duke shpallur zgjedhje të reja.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka përgjysmuar praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë