Politike

Përfundon numërimi, demokratët zgjedhin Këshillin e ri Kombëtar

Procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Burime nga Partia Demokratike flasin për një pjesëmarrje të kënaqshme të delegatëve në votimin e së shtunës.

Në total janë rreth 6 mijë delegatë me të drejtë vote dhe nga PD thonë se kanë votuar rreth 4800 prej tyre, ose 75 për qind.

Vota e hedhur të shtunën do të përcaktojë emrat e 220 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të demokratëve.

Partia më e madhe opozitare mblodhi ditën e djeshme Kuvendin Kombëtar, ku edhe është votuar për 220 anëtarët e Këshillit Kombëtar. Kjo listë pritet të bëhet publike në orët e pasdites, ku mund të reflektohen disa rikthime të bujshme, por edhe largime po aq të bujshme.

Mes emrave që janë rikthyer është edhe Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj, ndërsa largimin, jo nga PD por nga Këshilli Kombëtar e ka konfirmuar Erla Mëhilli, zëdhënëse e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Fleta e votimit ishte me 352 kandidatë, çka e bënte të vështirë procesin e votimit, kjo pasi çdo votues mund të zgjidhte si maksimum deri 220 kandidatë që mendonte se do të ishin te denjë për në këtë forum të lartë të partisë më të madhe opozitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë