Futboll

Përfundon në Shkup ëndrra e Euro 2021, eliminohet Kosova

Kosova humbi 2-1 në fushën e Maqedonisë së Veriut, duke humbur njëkohësisht edhe mundësinë për të shkuar në finalen e Grupit D në Ligën e Kombeve. Me shumë mungesa të rëndësishme, si Amir Rrahmani, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, dardanët e patën të vështirë të fitonin në Shkup.

Ndeshja gjysmëfinale mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës u vendos në pjesën e parë, kur u shënuan të tre golat. Benjamin Kololli devijoi një top drejt rrjetës së portës së tij, duke shkaktuar autogol. Kosova barazoi pas një gabimi të portierit maqedonas dhe mbrojtjes. Topi shkoi te Hadergjonaj, i cili nga jashtë zonës e dërgoi me saktësi në portën e boshatisur. Por gëzimi i kosovarëve zgjati pak, sepse me anë të një goditjeje standarde, vendësit shënuan me kokë golin e dytë.

Kosova para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut. Gazeta Si, 8 tetor 2020

Shuhet kështu endrra e Kosovës për të shkuar në finale, ku do të ndeshej me Gjeorgjinë në Tbilisi për një biletë që do ta çonte në Europian. Kosova i vuajti jo pak mungesat e lojtarëve me peshë. Në fushë për Maqedoninë e Veriut ishin 5 lojtarë me origjinë shqiptare, Musliu, Bejtullai, Ademi, Alioski dhe Bardhi. Mjaft domethënës gjesti i këtij të fundit, i cili inkurajoi lojtarët e Kosovës me përqafime dhe u shpreh se do të ishte i lumtur edhe nëse do të ishte kualifikuar Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë