Politike

Përfundon debati virtual 3 ditor Braçe-Tatime. Administrata i kërkon falje deputetit për reagimin jo etik

Nga Gazeta 'SI' - Debati virtual i pazakontë që zgjati 3 ditë, midis deputetit Erion Braçe dhe drejtorisë së Tatimeve përfundoi mbrëmjen e djeshme.

Kreu i DPT-së, Ceno Klosi, me anë të një statusi në FB i kërkoi falje deputetit Erion Braçe, për reagimin “e nxituar dhe aspak institucional” mbi një video që ky i fundit kishte publikuar.

E gjitha nisi nga një denoncim i deputetit Braçe në rrjetet sociale, ku si shpeshherë tregoi abuzimin në treg me çmimet fiktive të fruta-perimeve në tregun e madh të shumicës në Tiranë dhe shitjen e tyre pa faturë tatimore. Ai i bëri thirrje Tatimeve t’i kontrollojë këto biznese që po abuzojnë me qytetarët. Dhe Tatimet iu përgjigjën.

Në një tjetër video, Braçe, i irrituar tregon se “agjencitë ligjzbatuese kanë shkuar në tregun e madh të Tiranës dhe sipas Braçes, një pjesë e tregtarëve që janë njoftuar prej tyre, kanë mbyllur qepenat, kurse të tjerët janë kapur në paligjshmëri”. Sipas tij, përfaqësuesit e tatimeve i kanë thënë tregtarëve “nuk kemi ç’bëjmë, ka dhënë urdhër Braçja, prej tij e keni!”.

Kështu, deputeti i quan ata “idiotë të padobishëm të shtetit”. Ai thekson se qëllimi nuk është gjoba, por transparenca dhe fatura tatimore.

“Qëllimi është fatura tatimore, në blerje nga bujku, në shitje nga tregtari, në shumicë e në pakicë. Fatura dhe Kuponi në çdo blerje e shitje, me çmime transparente, jo të rreme, deri në 31 dhjetor është emergjence, e keni edhe detyrim ligjor!”.

Pas këtyre dy videove, Administrata Tatimore reagoi me një tekst të gjatë, drejtuar personalisht deputetit Braçe dhe jo shqetësimit të tij.

“Na vjen keq të dëgjojmë nga një Deputet fyerje dhe mungesë respekti ndaj Administratës Tatimore, duke përdhosur punën e saj, aq më keq me informacione të pavërteta, gjykime të një Deputeti që jo vetëm nuk e përmirësojnë punën e një Administrate, por përkundrazi e ofendojnë publikisht atë me apo pa të drejtë”, shkruhej në reagimin e DPT-së.

Por mbrëmjen e djeshme, DPT tërhoqi mbrapsht qëndrimin e saj dhe vetë kreu, Ceno Klosi, i kërkoi falje deputetit Erion Braçe.

“Në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe në emrin tim personal, i kërkojmë ndjesë publike deputetit Erjon Braçe për reagimin e nxituar dhe aspak institucional ndaj kritikave të tij publike. Shqetësimet e deputetit meritojnë vëmendjen e institucionit tonë dhe nuk është detyra jonë të replikojmë me askënd që lirisht jep opinionin e vet. Kjo thyerje e etikës institucionale nuk do të përsëritet. Shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve për sa më lart. Ceno Klosi”, shkruan drejtoria e Tatimeve në Facebook.

Deputeti socialist është i vetmi nga radhët e qeverisë që denocon abuzime në treg dhe targeton institucionent përkatëse. Ai ka kritikuar njësoj Autoritetin e Konkurrencës, Ministrinë e Financave etj, por asnjëra nuk replikoi virtualisht me të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë