Arsim

Përfundon bojkoti / Studentët e mjekësisë bien dakord me rektorin. Rikthehen në auditore pa kontratë deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese

Nga Gazeta Si- Studentët e mjekësisë do të rikthehen në auditore. Pas 5 muajsh proteste për anulimin e ligjit që i detyron të qëndrojnë në vend për 2 deri në 5 vite ose të paguajnë një tarifë prej 240 mijë lekësh, studentët kanë marrë një përgjigje pozitive nga rektori i Universitetit të mjekësisë, Arben Gjata.

8 përfaqësues të studentëve janë takuar për rreth dy orë me rektorin Gjata ku kanë dalë në përfundimin se Universiteti do mbështesë studentët deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 19 tetor, së bashku me avokatin e çështjes Semir Sali, studentët dorëzuan në Kushtetuese padinë për rrëzimin e ligjit.

Avokati sqaroi për median se në padinë e bërë nuk kërkohet shfuqizimi i ligjit por vetëm ato dispozita që cënojnë të drejtat studentëve.

Në padi është kërkuar që t’i lejohet secilit student që të firmosë vullnetarisht akt marrëveshjen, që është edhe argumenti kryesor i padisë, pra e drejta për të bërë një zgjedhje të lirë, pa “kërcënimin” e një sanksioni ekonomik siç përcakton neni 5 i ligjit ku thuhet se çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale.

Sipas studentëve, në padinë e tyre thuhet se kemi të bëjmë me një shkelje të së drejtës për barazi para ligjit dhe ndalimit kundër diskriminimit. Gjithashtu pretendohet se ka shkelje të parimit themelor për siguri juridike dhe të drejtës për arsim dhe punë.

Gjykata do të vendosë nëse padia do të merret në shqyrtim dhe ky do të ishte një hap i madh për studentët pasi në këtë moment ‘ngrin’ ligji dhe studentët nuk janë të detyruar që të firmosin kontratën apo të paguajnë tarifën e plotë.

Studentët janë shprehur për median se janë optimist për vendimin e Gjykatës edhe pse shtojnë se mbetet për t’u parë nëse do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës.

Gjithsesi studentët janë të vendosur se nuk do të pranojnë të firmosin një kontratë që i detyron të bëjnë një zgjedhje.

Për këtë, ato do të vazhdojnë të kërkojnë një takim me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu për të shfuqizuar ligjin.

Gjatë takimit me rektorin, studentët kanë marrë garancinë se deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, studentëve nuk do u paraqitet asnjë kontratë për të firmosur.

“Do ketë një shkresë zyrtare nga rektorati ku tregohet mbështetja për studentët deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ne rikthehemi në mësim që sot”, deklaroi Dea Guri, një prej studenteve që ishte pjesë e bisedimeve me rektorin.

Guri tha se në takim u diskutuan 3 kërkesat e studentëve dhe ndër të tjera morën mbështetje se do të rregullohen orët e humbura të mësimit.

“Do ketë konsultim juridik për zgjidhjen e ngërçit që është krijuar me lëndët. Morëm sigurinë se nuk do të ketë penalitete deri në një vendim të Gjykatës”, thanë studentët ndërkohë që orët e humbura do të rregullohen nga rektorati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë