Gazeta Si - Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur baya të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës më 1 dhjetor, pak pasi përfundoi armëpushimi njëjavor, tha ushtria.
Sulmet ajrore kanë goditur jugun e Gazës, përfshirë komunitetin Abasan në lindje të qytetit Han Junis, tha Ministria e Brendshme në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Një sulm tjetër ka goditur veriperëndimin e Qytetit të Gazës.
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Rripin e Gazës, teksa qielli i këtij territori palestinez është mbuluar nga tymi i zi.
Në Izrael, sirenat për sulme janë dëgjuar në zonat afër Gazës që sugjerojnë se Hamasi po ashtu ka rinisur sulmet e tij.
Ushtria izraelite njoftoi për rinisjen e sulmeve vetëm 30 minuta pasi përfundoi armëpushimi në orën 07:00, sipas kohës lokale.
Më herët gjatë të premtes, Izraeli akuzoi Hamasi se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit, përfshirë hedhjen e raketave nga Gaza drejt Izraelit.
Ndërprerja e luftimeve nisi më 24 nëntor, dhe fillimisht armëpushimi ishte paraparë të zgjaste katër ditë. Por, ai u vazhdua edhe për disa ditë të tjerë me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.
Gjatë armëpushimit njëjavor, Hamasi dhe militantë të tjerë në Gazë liruan mbi 100 pengje, shumica e të cilëve izraelitë, në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve që gjendeshin në burgjet në Izrael.
Pothuajse të gjithë të liruarit ishin gra dhe fëmijë, por fakti që mbetën vetëm pak pengje të tilla në Gazë ndërlikoi arritjen e një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit.
Hamasi, që kontrollon Gazën prej 16 vjetësh, ka pritur të përfitojë më shumë nga lirimi i pengjeve të mbetura, veçmas për ushtarët izraelitë. Afër 140 pengje vazhdojnë të jenë në Gazë, ndërkaq mbi 100 u liruan në bazë të marrëveshjes së armëpushimit.
Sulmet e Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor vranë 1200 njerëz. Që atëherë, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 14,800 njerëz janë vrarë nga Izraeli, duke përfshirë këtu rreth 6,000 fëmijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.