Rend dhe Ligj

Arrestohet ish-punonjësja e BSH, i zhvati 570 mijë euro një familjeje nga Shkodra dhe shoqes së saj

Gazeta Si - Një ish-punonjëse e Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj, është arrestuar me akuzën për disa raste mashtrimi, duke u marrë disa qytetarëve deri në 570 mijë euro për t’u zgjidhur çështje të ndryshme gjyqësore.

Indicia për arrestimin e 30-vjeçares nga Tirana, u mor nga një rast i fundit, kur ajo u kishte marrë shuma të mëdha parash në mënyrë të përsëritur familjes Verracaku nga Shkodra, konkretisht babait dhe 2 djemve të tij. Bëhet fjalë për Abedin Verracakun, Shyqyri Verracakun dhe Hasan Verracakun, të përfshirë para dy vjetësh në “Masakrën e Velipojës”.

Sipas policisë, Milena Deraj u kishte marrë 340 mijë euro dhe u kishte premtuar atyre se do t’i ndihmonte në një proces gjyqësor për ngjarje kriminale të ndodhur në Velipojë në vitin 2021, ku humbën jetën 2 persona pas një konflikti në sezonin e verës.

Për shkak të mashtrimeve dhe moszgjidhjes së çështjes pavarësisht marrjes së parave, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku dhe Hasan Verracaku e kishin kanosur me vetëgjyqësi 30-vjeçaren për kthimin e parave. Ata janë shpallur në kërkim nga policia.

Mësohet se ka qenë vetë Milena Duraj që denoncoi në polici Verracakët pas kërcënimeve për jetën.

Hetuesit zbuluan gjithashtu një tjetër rast mashtrimi të Durajt, e cila gjatë një viti, i ka marrë në total rreth 230.000 euro shoqes së saj, duke i premtuar se do t’i investonte paratë në bono thesari.  Vetë shoqja e 30-vjeçares kuptoi që po mashtrohej nga Milena dhe e denoncoi në polici.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë