Vizita në Londër e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump provoi se, nëse shefi i Shtëpisë së Bardhë ka një strategji për raportin që kërkon të vendosë me Bashkimin Europian, ajo është përçarja.
Pak ditë pas vizitës së Presidentit francez, Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë, në mediat ndërkombëtare qarkulloi lajmi për një këshillë të pazakontë që Donald Trump i kishte bërë homologut të tij francez.
Sipas asaj që thuhej në artikujt që pasuan këtë vizitë, e që asnjëherë nuk janë mohuar deri më tani si nga Parisi, ashtu edhe nga Uashingtoni, në një bisedë informale me Macron Trump i kishte sugjeruar daljen nga Bashkimi Europian.
“Pse nuk dilni nga BE, në mënyrë që të diskutojmë për një pakt tregtar më favorizues për Francën?”, i ka thënë Donald Trump Presidentit francez.
I ndalur në Bruksel për samitin e NATO-s, Trump vijoi me gjuhën e ashpër ndaj aleatëve. Këtë herë iu vërsul Gjermanisë. E quajti një vend plotësisht të kontrolluar nga Rusia prej varësisë që ka nga gazi i Moskës.
“Ne duhet të hedhim miliarda dollarë për të mbrojtur nga Rusia Gjermaninë që derdh miliarda dollarë në vit tek arkat ruse?”, ishte logjika e Presidentit amerikan.
Ashtu si Macron, edhe Kryeministrja britanike duket se është vënë para pyetje-këshillave të vështira të Donald Trump. Në një intervistë dhënë për BBC, Theresa May rrëfeu se gjatë një bisede private, Presidenti amerikan u shfaq “i shqetësuar” për negociatat e shkëputjes së Londrës nga Brukseli.
“Pse negocioni me ta? Pse nuk i padisni në vend që të negocioni? Paditini!”, i ka kërkuar Trump.
May thotë se u habit nga ajo që dëgjoi, por i kishte kthyer përgjigje duke i thënë se “Britania kishte zgjedhur negociatat dhe me negociatat do të vazhdojë, jo me padi”. Në fakt, për mënyrën sesi po shkojnë negociatat Kryeministrja britanike po has kundërshti brenda radhëve të partisë së saj.
Intervista e thënë për Andrew Marr Show mbërrin në një periudhë kur ndaj saj janë shtuar zërat për një votëbesim në Parlament dhe kur kabineti iu trondit me dy largime të bujshme brenda ditës të dy emrave kyçë në procesin e shkëputjes, Sekretarit për Brexit, David Davies dhe ministrit të Jashtëm, Boris Johnson.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.