Art dhe Kulture

Mësimet për jetën që marrim prej romanit “Gjuetari i balonave”

Çdo libër na mëson diçka që autori dëshiron ta shprehë në mënyrë të hapur, apo që vetë lexuesi e nxjerr prej mendimit të tij kritik. “Gjuetari i balonave”, kryevepra e Khaled Hossein-it na jep së pari mesazhin më të madh, atë të vlerës së shoqërisë së vërtetë dhe të besnikërisë në jetën tonë, dhe së dyti, se egoizmi dhe arroganca i shkatërrojnë miqësitë dhe marrëdhëniet e forta.

Për Hasanin, Amiri ishte gjithë bota. Ai e shihte botën me mendimin se idealet që duheshin arritur, ishin miqësia, besnikëria dhe dashuria. Në anën tjetër, për Amirin gjërat më me vlerë ishin ato sipërfaqësore. Ai e vlerësonte veten, nisur nga mendimi i të tjerëve për të. Në sulmin ndaj Hasanit, Amiri nuk ndërhyri dhe problemi nuk ishte mungesa e ndërhyrjes për ta shpëtuar mikun e tij që më vonë zbuloi se e kishte vëlla, por fakti që nuk i kërkoi falje duke i thënë se u tremb dhe kjo gjë bëri të mos ndërhynte. Me shumë mundësi Hasani do ta falte me një buzëqeshje në fytyrë, por Amiri i trembej reagimit të të atit. Ai mendonte se Hasani do i thoshte të atit për frikën e tij dhe i ati do ta quante frikacak. Ndaj, për të mos arritur në këtë pikë, Amiri preferoi ta konsideronte hajdut Hasanin, ashtu si agresorët e tij. Por Amiri harroi se është tepër e vështirë të gjesh njerëz në këtë botë që do të bënin për ty çdo gjë, ashtu siç do e bënte Hasani për të.

Romani na jep edhe plot mësime lidhur me:

  • Afganistanin. Të gjithë mund të mësojnë shumë për vendin që dikur ishte mjaft i bukur, derisa një mëngjes u zgjua i tmerruar dhe duhet të përballej me Luftën e Ftohtë. Unë, jam i bindur dhe shumë lexues të tjerë, nuk e dija se më parë Afganistani ishte mjaft i ngjashëm me Indinë. Nuk e dija se ishte një vend i gjelbëruar, paqësor, modern dhe i zhvilluar po aq sa India. Sot ne e shohim Afganistanin si një vend të rrënuar, si një vend shumë më poshtë në renditje se India në mjaft faktorë. Ky libër na mëson se një gjë e tillë mund t’i ndodhë një ditë edhe vendit tonë, sado e pabesueshme të na duket.
  • Vlerat njerëzore. Ngjarjet në libër flasin për frikën dhe tradhëtinë, si dhe për vlerën e pendesës. Karakteri i Hasanit, mikut besnik dhe vëllait nga njëra anë e Amirit, i cili është dhe protagonist në roman, si dhe marrëdhënia midis tyre janë përshkruar në mënyrë fantastike në libër. “Gjuetari i balonave” na jep edhe një herë mesazhin se në botë ekziston ligësia dhe se bota mund të jetë ndonjëherë mjaft e egër me disa njerëz. Në fund të librit, ne gjithashtu mund të lexojmë mbi pendesën, si dhe me shmangien e negativitetit, edhe në mes të gjithë tragjedive që mund të na rrethojnë.
  • Vëllazërinë. Edhe pse thuajse në fund të romanit na thuhet se Hasani ishte vëllai i Amirit, unë mendoj se autori nuk ka dashur thjesht të tregojë lidhjen e gjakut midis dy personazheve të tij. Khaled Hosseini është përpjekur të tregojë se ne të gjithë jemi vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin dhe se të gjithë duhet t’i ndihmojmë ata në nevojë. Diskriminimi, dhuna dhe ligësia nuk duhet të luftohen vetëm bazuar në lidhjet e gjakut. Ne të gjithë duhet të bëjmë aq sa mundemi për t’i ndihmuar të tjerët që po luftojnë me aspekte të tilla negative, pavarësisht se mund të mos kemi lidhje gjaku me ta.
  • Simbolin e kthimit. Personazhi i Amirit që u largua prej Hasanit dhe prej vendit të tij, për t’u kthyer vite më vonë përbën një mesazh shumë të rëndësishëm për mua. Amiri kthehet për të shpëtuar të birin e Hasanit dhe autori do të na sjellë në vëmendje se të gjithë duhet të kthehen për ta shpëtuar vendin e tyre. Sado larg të shkojë dikush, duhet ta vrasë ndërgjegjia dhe të kthehet për të shpëtuar vendin e tij të rrënuar. Nuk mundet që ushtria e një vendi tjetër apo ndihmat e jashtme të japin kontributin e tyre dhe qytetarët e vendit në luftë të mos dalin të luftojnë. Mbi të gjitha, pendesa që Amiri shfaq me kthimin e tij, flet më shumë se çdo gabim që ai ka bërë në të shkuarën.

What Is Universal Way To Get Prescription Drugs And Get To Know More About Health


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë