Politike

Për teatrin vendoset të enjten! Rama konfirmon shembjen, kundërshtarët mbledhin firma

Qeveria vazhdon me planin e saj për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së një tjetre dhe këtë bindje e përforcoi mbrëmjen e së hënës Kryeministri Edi Rama.

Rama mori pjesë në përurimin e godinës së “Art Turbina” skena e re ku do të zhvendosen artistët gjatë periudhës së shembjes dhe ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.

Për kreun e Qeverisë, debati nëse duhet shembur apo jo godina aktuale është pa vlerë. Debati, sipas tij, duhet zhvendosur tek cilësia e artit sot. Për të ilustruar mendimin e tij, përmendi edhe emrin e Robert Ndrenikës.

“Një teatër publik nuk është prona private, apo prona ekskluzive e aktorëve të momentit, por është mjedis për publikun dhe u takon vendimarrësve dhe specialistëve të fushës që të vendosin. Nuk është pyetja a duhet prishur Teatri Kombëtar apo jo. Ajo godinë sot nuk e bën as për një festival kombëtar, jo më rajonal. Pyetja është se çfarë duhet bërë për të mbushur gropat e mëdha të ikjeve pa fund të aktorëve të mëdhenj Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Bujar Lakos dhe me radhë, se kur e shoh sot Robert Ndrenikën në tryezat për të ardhmen e godinës, më shumë se çfarë mendon ai për godinën mua më pikëllon dukja e tij prej mohikani të fundit, ndërkohë që sot nuk shquhen se kush janë trashëgimtarët e fronit të Ndrenikës. Kjo është pyetja e vërtetë që do të meritonte një debat”, tha ai.

Gjatë ditës, Partia Demokratike ngriti në të gjithë Komisionet Parlamentare çështjen e Teatrit Kombëtar, madje në Komisionin e Ligjeve, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi kolegët e mazhorancës se me votën pro rrezikonin burgun.

“Ky projektligj shkel të paktën 7 dispozita të Kushtetutës dhe tre ligje ekzistuese. Ajo është një pronë publike dhe jo pronë shtetërore. Duhet të dini se prona në regjim publik nuk tjetërsohet se nuk është as e Edi Ramës dhe as e Parlamentit, është e shqiptarëve dhe duhet t’i dini këto se do t’ju duhen nesër kur të dilni para Prokurorisë, se do të vijë dita kur do të ketë prokurori, nuk do të ketë Arta Marku. Do të vijë dita kur do të ketë Gjykatë Kushtetuese”, tha Alibeaj.

Qëndrimit të opozitës dhe të pjesës së artistëve që kundërshtojnë shembjen e ironizoi dhe kujtoi disa nga ndërhyjet që janë bërë, sipas tij, në fushën e kulturës dhe artit.

“Ky është një rast i mirë për të vënë disa pika mbi ‘i’, pasi po ngrihet volumi i vajtimit për të zezën që e gjeti kulturën dhe artin për shkakun tonë. Ne nuk kemi bërë mrekulli, por 571 monumente janë përtej greminës, 20 operacione shpëtimi po zhvillohen aktualisht, ndërsa 67 projekte janë gati për t’u futur në zbatim. Nuk është pak që të kujtohet që pas dekadash pa asnjë ndërtim në fushën e kulturës janë ndërtuar 4 muze të rinj, janë strehuar 3 thesare”, thotë Rama.

Megjithatë, para godinës që Qeveria ka ndërmend të shembë, një grup artistësh të mbështetur edhe nga Partia Demokratike vijojnë protestën. Si formë është zgjedhur edhe mbledhja e firmave për të dorëzuar një peticion kundër këtij vendimi.

Pavarësisht kësaj, mazhoranca ka futur me procedurë të përshpejtuar projektligjin dhe të enjten ai do të kalojë në seancë plenare për miratim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë