Politike

“Për sovranitetin jemi të gjithë në një varkë”, Vasili mbështet qëndrimet e Berishës

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili nuk dha detaje mbi marrëdhënien politike të PD-së pas zgjedhjeve me LSI-në dhe iu duk fare normale që ata nuk kishin krijuar as grup parlamentar. Në të kundërt i duheshin deputet te huazuar nga PD.

Por Petrit Vasili tha shumëçka kur u pyet për rastin “Berisha”.    

“Ky është një problem i brendshëm i PD dhe sigurisht i takon asaj ta zgjidhë. Unë kam vetëm këtë, PD është një parti që ka bërë histori në pluralizmin e Shqipërisë. Besoj se PD, sa i takon rezultateve, nuk kanë të krahasuar me tetë vitet e Rilindjes, që me shëndetësinë, infrastrukturën, etj.

PD ka gjithë eksperiencën e duhur dhe një pasuri të madhe personalitetesh, që do ta zgjidhin në rrugën e duhur. Një debat i madh vetëm zgjon energji të reja dhe shton tempujt e demokratizimit. Basha përgjigjet vetë për vendimet e veta, nuk mund të jem avokat i vendimeve të tij.

Ajo që thotë Berisha lidhur me sovranitetin besoj se në këtë pikë jemi të gjithë në një varkë, sovraniteti as mund të shitet, as të blihet dhe as të luhet me të. Kemi një kryeministër pazarxhi kufijsh për Shqipërinë e Kosovën, ka shitur gjithë sovranitetin e Shqipërisë, ndaj dhe sovraniteti sot është më i tronditur se kurrë. Pra, ky shqetësim madhor i Berishës, sigurisht që është kapur dhe nga ne, por me tonet dhe zërin e Berishës, i bën mirë vendit”, tha Vasili


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë