Gazeta Si – Lindja e Mesme është një treg vendimtar për markat luksoze, të cilat vitet e fundit kanë investuar shumë në zgjerimin në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Katari, të cilat janë tashmë shumë të pasura dhe gjithnjë e më tërheqëse për turistët dhe biznesmenët ndërkombëtarë.
Megjithatë, shtëpitë e modës dhe konglomeratet e mëdha, po përballen gjithashtu me luftën që filloi në fund të shkurtit, e cila po shkakton humbje të konsiderueshme për një sektor me vlerë dhjetëra miliardë euro. Për t’u rikuperuar, ato tani duhet të ndryshojnë strategji.
Menjëherë pasi Irani iu përgjigj sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit duke sulmuar vendet e Gjirit Persik, shumë dyqane të markave luksoze në rajon u mbyllën.
Shumica tani janë rihapur, por udhëtimi ajror mbetet i vështirë: tani ka shumë më pak turistë dhe shumë njerëz të pasur që dikur jetonin në këto vende, janë larguar – të gjitha këto janë arsye pse shitjet kanë rënë ndjeshëm.
LVMH, konglomerati më i madh luksoz në botë, që kontrollon marka të tilla si, Christian Dior, Louis Vuitton dhe Bulgari, njoftoi se shitjet për marka të caktuara në tregun e Lindjes së Mesme ranë me 70 përqind në mars.
Në tremujorin e parë, ajo shënoi të ardhura prej mbi 19 miliardë eurosh, një rritje prej 1 përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm – gjysma e parashikimit të saj për periudhën.
Grupi pa humbje kryesisht në divizionet e saj të modës dhe mallrave prej lëkure dhe ia atribuoi këtë rënie luftës.
Javën e kaluar, pas prezantimit të rezultateve të tremujorit të parë, aksionet e Hermès ranë me 8 përqind. Të ardhurat u rritën me 5.6 përqind, krahasuar me një rritje prej 9.8 përqind në tremujorin e mëparshëm, ngadalësimi më i rëndësishëm në vitet e fundit.
Kompania, e njohur më së miri për çantat e saj prej lëkure, tha se shitjet ranë, si në dyqanet e saj me shumë marka në qendrat tregtare, ashtu edhe në dyqanet e markave të saj në aeroportet e rajonit, të cilat janë qendra kryesore për lidhjet midis Evropës, Azisë dhe më gjerë, por po operojnë me kapacitet të reduktuar për shkak të luftës.
Për shkak të ndërprerjeve në udhëtimet ajrore, Hermès ka pezulluar ose vonuar disa dërgesa në Katar, Bahrein dhe Kuvajt dhe gjithashtu po përjeton vështirësi në furnizimin e disa dyqaneve në Azi.
Pavarësisht një fillimi pozitiv të vitit, Kering raportoi gjithashtu një rënie prej 11 përqind të shitjeve krahasuar me tremujorin e mëparshëm në tregun e Lindjes së Mesme, i cili përbën rreth 5 përqind të biznesit të saj. Kering, e cila kontrollon shtëpi mode si Gucci dhe Saint Laurent, njoftoi se ka krijuar një njësi krize për të menaxhuar biznesin e saj në rajon.
Vendet e Gjirit Persik janë pasuruar kryesisht falë burimeve të tyre të naftës dhe në vitet e fundit, qytete si Dubai dhe Doha kanë investuar shumë për të ndërtuar një imazh mirëqenieje, bollëku dhe ekskluziviteti, duke synuar të tërheqin sipërmarrësit dhe njerëzit shumë të pasur.
Në të njëjtën kohë, markat e modës, si Prada, Louis Vuitton dhe Dior kanë hapur dyqane të reja, kanë investuar në tregtinë elektronike dhe kanë organizuar evente që synojnë klientët e pasur vendas.
Lindja e Mesme është, shkurt, një treg shumë premtues për të kompensuar kërkesën në tregjet evropiane dhe aziatike, e cila është dobësuar për shkak të inflacionit në rritje, tarifave tregtare dhe pasigurisë politike globale.
Tani, me luftën, kompanitë e mëdha shpresojnë që ata që nuk udhëtojnë më në qytete, si Dubai ose Doha, ose janë larguar, do të vazhdojnë të blejnë çanta dore luksoze, bizhuteri dhe artikuj të modës së lartë në qytete si Parisi ose Londra.
Cécile Cabanis, drejtoresha financiare e LVMH, u tha investitorëve se kërkesa është aktualisht shumë e ulët, por se kompania është optimiste, duke pasur parasysh se pasuria “nuk është avulluar”.
Ermenegildo Zegna, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i markës së modës me të njëjtin emër, i tha gjithashtu “New York Times” se kompania synon të tërheqë klientë kyç “gjetkë në botë”.
Një problem tjetër që lidhet me luftën, megjithatë, është se ndërsa ka pak turistë të huaj në vendet e Lindjes së Mesme, shumë më pak njerëz nga vendet e Lindjes së Mesme po udhëtojnë për në Zvicër, Francë dhe Itali.
Sipas shumë analistëve, një tkurrje e zgjatur e trafikut ajror në Lindjen e Mesme, në përgjithësi rrezikon të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi shitjet në dyqanet e aeroportit, të cilat tashmë po përpiqeshin të rimëkëmbeshin nga pandemia e koronavirusit.
Përveç markave luksoze, kompanitë e parfumeve dhe kozmetikës që gjenden lehtësisht në aeroporte, po e ndiejnë gjithashtu presionin, si Estée Lauder, L’Oréal dhe Puig, e cila operon marka të tilla, si Paco Rabanne, Carolina Herrera dhe Jean Paul Gaultier.
Një treg që duket se nuk ka pësuar humbje të konsiderueshme deri më tani, është Amerika e Veriut, ku Hermès u rrit me më shumë se 17% në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe që është gjithashtu tregu më i fortë aktualisht i Kering.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje